Kur dhe si mbarojnë pandemitë?


Sipas historianëve, pandemitë zakonisht kanë dy lloj mbaresash: mjekësore, e cila ndodh kur shfaqja dhe shkalla e vdekjes bie, dhe ajo sociale, kur epidemia e frikës për sëmundjen zbehet, shkruan New York Times.

“Kur njerëzit pyesin:” Kur do të përfundojë kjo?”, kanë ndërmend fundin social”, thotë Dr. Jeremy Greene, një historian i Mjekësisë në Johns Hopkins University.

Me fjalë të tjera, fundi mund të ndodhë, jo sepse sëmundja është zhdukur, por sepse njerëzit lodhen nga gjendja e panikut dhe mësojnë të jetojnë me një sëmundje. Allan Brandt, një historian i Harvard University, tha se diçka e ngjashme po ndodh me Covid-19: “Siç kemi parë në debatin për hapjen e ekonomisë, shumë pyetje në lidhje me të ashtuquajturin fund nuk përcaktohen nga të dhënat e shëndetit mjekësor dhe publik, por nga proceset sociopolitike”.

Përfundimet “janë shumë, shumë të çrregullta”, thotë Dora Vargha, një historiane në Universitetin e Exeter-it. “Duke parë mbrapa, kemi një narrativë të dobët. Për kë mbaron epidemia dhe kush do ta shpallë fundin? ”.

Në rrugën e frikës

Një epidemi frike mund të ndodhë edhe pa një epidemi sëmundjeje. Dr. Susan Murray, nga Kolegji Mbretëror i Kirurgëve në Dublin, e pa këtë me sytë e vet kur ishte e ftuar, në vitin 2014, në një spital rural në Irlandë.

Në muajt e mëparshëm, më shumë se 11,000 njerëz në Afrikën Perëndimore kishin vdekur nga Ebola, një sëmundje e tmerrshme virale që ishte shumë infektive dhe shpesh fatale. Epidemia ishte duke u zbehur dhe nuk kishte ndodhur asnjë rast në Irlandë, por frika e publikut ishte e dukshme.

“Në rrugë dhe në pavione, njerëzit ishin në ankth”, kujtonte Dr. Murray së fundmi në një artikull në New England Journal of Medicine. “Të kesh ngjyrën e gabuar të lëkurës mjafton për t’u shikuar shtrembër nga udhëtarët në autobus ose tren. Kollitu një herë dhe do t’i shohësh duke u larguar prej jush”.

Punonjësit e spitalit të Dublinit u paralajmëruan të përgatiteshin për më të keqen. Ata ishin të tmerruar dhe të shqetësuar se nuk kishin pajisje mbrojtëse. Kur një i ri mbërriti në dhomën e urgjencës nga një vend me pacientë të Ebola-s, askush nuk donte të shkonte pranë tij; infermierët u fshehën, dhe mjekët kërcënuan të dilnin nga spitali.

Mgid
Mgid

Kрај за папиломите и брадавиците. Брзо, просто и сигурно!
Wormin

Жена од загуби 24 кг после ова
Kaloriko

Овој трик ги расчистува крвните садови веднаш!
Cardiol

Овој трик ги расчистува крвните садови веднаш!
Cardiol
Dr. Murray guxoi ta trajtonte, por kanceri i tij ishte aq i avancuar sa gjithçka që mund të ofronte ishte kujdesi paliativ. Disa ditë më vonë, testet konfirmuan se burri nuk kishte Ebola; ai vdiq një orë më vonë. Tri ditë më pas, Organizata Botërore e Shëndetit shpalli Epideminë e Ebolës.

Doktor Murray shkruan: “Nëse nuk jemi të përgatitur të luftojmë frikën dhe injorancën aq aktivisht dhe mendërisht sa ç’luftojmë çdo virus tjetër, ka gjasa që frika të bëjë dëm të tmerrshëm te njerëzit në nevojë, madje edhe në vendet që nuk shohin asnjë rast të vetëm infeksioni gjatë një shpërthimi. Dhe një epidemi frike mund të ketë pasoja shumë më të këqija kur komplikohet nga çështjet e racës, privilegjit dhe gjuhës”.

Murtajë e zezë dhe kujtime të errëta

Dizinfektimi i një tryeze autopsish në një spital murtaje në Mukden, Kinë , 1910. Foto: Library of Congress/Corbis/VCG, via Getty Images

Murtaja bubonike ka goditur disa herë në 2,000 vitet e fundit, duke vrarë miliona njerëz dhe duke ndryshuar rrjedhën e historisë. Çdo epidemi e theksonte frikën që vinte me shpërthimin e radhës.

Sëmundja shkaktohet nga një lloj bakteri, Yersinia pestis, që jeton në pleshtat e minjve. Por sëmundja bubonike, e cila u bë e njohur si Vdekja e Zezë, gjithashtu mund të kalojë nga personi i infektuar te tjetri përmes dromcave të frymëmarrjes, kështu që nuk mund të zhduket thjesht duke vrarë minjtë.

Historianët përshkruajnë tri valë të mëdha murtajash, thotë Mary Fissell, një historiane në Johns Hopkins University: Murtaja e Justinianit, në shekullin e gjashtë; epidemia mesjetare, në shekullin XIV; dhe një pandemi që goditi në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX.

Pandemia mesjetare filloi në 1331 në Kinë. Sëmundja, së bashku me një luftë civile që po ziente në atë kohë, vrau gjysmën e popullsisë së Kinës. Nga atje, murtaja u zhvendos përgjatë rrugëve tregtare për në Europë, Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme. Në vitet midis 1347 dhe 1351, ajo vrau të paktën një të tretën e popullsisë europiane. Gjysma e popullsisë së Siena, Itali, vdiq.

“Eshtë e pamundur që gjuha e njeriut të tregojë të vërtetën e tmerrshme”, shkruante kronisti i shekullit 14, Agnolo di Tura. “Në të vërtetë, ai që nuk ka parë një tmerr të tillë mund të quhet i bekuar”. Të infektuarit, shkruan ai “ënjten nën sqetulla dhe në shalë dhe bien përmbys kur flasin”. Të vdekurit u varrosën në gropa, në pirgje.

Në Firence, shkruan Giovanni Boccaccio, “Njerëzve të vdekur nuk iu bë më shumë respekt se sa u bëhet sot dhive të ngordhura”. Disa u fshehën nëpër shtëpi. Të tjerët e refuzuan kërcënimin. Mënyra e tyre e përballimit, shkruan Boccaccio, ishte “të pinin shumë, të shijonin jetën në mënyrë të plotë, të shkonin duke kënduar e gëzuar, dhe të kënaqnin të gjitha dëshirat kur u shfaqej mundësia, dhe të trajtonin të gjithën si një shaka të madhe”.

Ajo pandemi mbaroi, por murtaja u përsërit. Një nga shpërthimet më të këqija filloi në Kinë në 1855 dhe u përhap në mbarë botën, duke vrarë më shumë se 12 milion vetëm në Indi. Autoritetet shëndetësore në Bombay dogjën lagje të tëra duke u përpjekur t’i shpëtonin nga murtaja. “Askush nuk e dinte nëse kjo solli ndonjë ndryshim”, tha historiani i Yale University, Frank Snowden.

Nuk është e qartë se çfarë e bëri murtajën bubonike të vdesë. Disa studiues kanë argumentuar se moti i ftohtë vrau pleshtat që mbartin sëmundjen, por kjo nuk do ta ndërpriste përhapjen nga rrugët e frymëmarrjes, vë në dukje Dr. Snowden.

Ose mbase ishte një ndryshim te minjtë. Deri në shekullin e 19-të, murtaja po mbartej jo nga minjtë e zinj, por nga të murrmit, të cilët janë më të fortë më të egër dhe me më shumë gjasa të jetojnë larg njerëzve.

Dizinfektimi i minjve në New Orleans, 1914. Foto: Corbis, via Getty Images

Një hipotezë tjetër është që bakteri evoluoi duke u bërë më pak vdekjeprurës. Ose mbase veprimet nga njerëzit, siç është djegia e fshatrave, ndihmuan në shuarjen e epidemisë.

Murtaja nuk u largua kurrë. Në Shtetet e Bashkuara, infeksionet janë endemike te qentë e prerive në Jugperëndim dhe mund të transmetohen te njerëzit. Dr. Snowden thotë që një nga miqtë e tij u infektua pas një qëndrimi në një hotel në New Mexico. Banori i mëparshëm i dhomës kishte një qen, i cili bartte pleshtat që mbanin mikrobin.

Raste të tilla janë të rralla dhe tani mund të trajtohen me sukses me antibiotikë, por çdo raportim i një rasti me murtajë ngjall frikë.

Një sëmundje që mbaroi me të vërtetë

Edward Jenner, një nga zhvilluesit e parë të vaksinës së lisë duke vizituar një fëmijë në vitin 1796. Foto: Hulton Archive/Getty Images

Ndër sëmundjet që kanë arritur një fund mjekësor është lia e dhenve. Por është e jashtëzakonshme për disa arsye: Ekziston një vaksinë efektive, e cila jep mbrojtje të përjetshme; virusi, Variola minor, nuk ka një kafshë pritëse, kështu që eliminimi i sëmundjes te njerëzit nënkuptonte zhdukjen totale; dhe simptomat e saj janë aq të pazakonta sa infeksioni është i dukshëm, duke lejuar karantina efektive dhe gjurmimin e kontaktit.

Por ndërsa ishte në qarkullim, lia ishte e tmerrshme. Epidemi pas epideme përfshinë botën, për të paktën 3.000 vjet. Individët e infektuar nga virusi zhvillonin ethe, më pas një skuqje e cila shndërrohej në puçrra të mbushura me qelb, të cilat thaheshin dhe binin duke lënë plagë. Sëmundja vriste 3 nga 10 viktima, shpesh pas vuajtjesh të mëdha.

Në vitin 1633, një epidemi midis amerikanëve indianë “shkatërroi të gjitha komunitetet indigjene në verilindje dhe, sigurisht, i lehtësoi ngulimet angleze në Masaçusets”, thotë historiani i Harvard-it, Dr. David S. Jones. William Bradford, drejtuesi i kolonisë së Plymouth-it, shkroi një histori të sëmundjes ndër amerikanët amtarë, duke thënë se puçrrat e shpërthyera do ta ngjisnin lëkurën e një pacienti në shtrojat e gjumit.

Personi i fundit që u infektua me li në mënyrë natyrale ishte Ali Maow Maalin, një kuzhinier spitali në Somali, në vitin 1977. Ai u shërua, për të vdekur nga malarja në 2013.

Gripet e harruara

Gripi i vitit 1918 mbahet sot si shembulli i shkatërrimeve të një pandemie dhe të vlerës që kanë karantinimet dhe distancimi shoqëror. Para se të mbaronte, gripi vrau 50 milion deri në 100 milion njerëz në mbarë botën. Prekte kryesisht të rinjtë dhe të rriturit e moshës së mesme – duke kthyer fëmijët në jetimë, dhe duke i privuar familjet nga të zotët e shtëpisë, duke vrarë trupat në mes të Luftës së Parë Botërore.

Në vjeshtën e vitit 1918, William Vaughan, një doktor i shquar, u dërgua në Camp Devens afër Boston-it për të raportuar mbi një grip të fortë atje. Ai shkruan se pa “qindra të rinj të aftë në uniformën e vendit të tyre, duke hyrë në pavionet e spitalit, në grupe prej dhjetë ose më shumë”. “Ata vendosen në shtrate portative pasi shtretërit e spitalit janë plot, por të tjerë vijnë pas tyre. Fytyrat e tyre shpejt vishen me një hije blu, një kollë shqetësuese sjell pështymë të spërkatur me gjak. Në mëngjes, kufomat janë grumbulluar në morg si dru zjarri”.

Vullnetarët e Kryqit të Kuq në Piedmont, Kaliforni duke bërë maska, tetor 1918. Foto: Edward (Doc) Rogers/MediaNews Group/Oakland Tribune, via Getty Images

Virusi, shkruan ai, “demonstroi inferioritetin e shpikjeve njerëzore kundrejt shkatërrimit të jetës njerëzore.”

Pasi përlau botën, gripi u zbeh, duke u shndërruar në një variant të gripit beninj që përsëritet çdo vit.

“Ndoshta ishte si një zjarr që, pasi djeg drutë në dispozicion dhe lehtësisht të arritshëm, shuhet”, thotë Dr. Snowden.

Mbaroi edhe në planin shoqëror. Lufta e Parë Botërore kishte mbaruar; njerëzit ishin të gatshëm për një fillim të ri, një epokë të re dhe të etur për të vendosur pas tyre makthin e sëmundjes dhe luftës. Deri tani, gripi i 1918 u harrua thuajse krejtësisht.

Të tjera pandemi gripale pasuan , jo aq të këqija por të gjitha, sidoqoftë, kthjelluese. Nga gripi i Hong Kongut i vitit 1968, një milion njerëz vdiqën në të gjithë botën, përfshirë 100,000 në Shtetet e Bashkuara, kryesisht më të vjetër se 65 vjeç. Ky virus ende qarkullon si grip sezonal, rruga e tij fillestare e shkatërrimit – dhe frika që shkoi me të – kujtohen rrallë.

Si do të përfundojë Covid-19?

A do të ndodhë kjo me Covid-19?

Një mundësi, thonë historianët, është që pandemia e koronavirusit të mund të përfundojë në aspektin social përpara se të përfundojë në atë medicinal. Njerëzit mund të lodhen aq shumë nga kufizimet saqë ata shpallin fundin e pandemisë, edhe pse virusi vazhdon të digjet në popullatë, dhe para se të gjendet një vaksinë ose trajtim efektiv për të.

“Unë mendoj se ekziston një lloj problemi social dhe psikologjik i rraskapitjes dhe zhgënjimit,” tha historiania e Yale, Naomi Rogers. “Ne mund të jemi në atë momentin kur njerëzit thjesht thonë:‘Mjaft më! Unë meritoj të jem në gjendje të kthehem në jetën time normale”.

Po ndodh tashmë; në disa shtete, guvernatorët kanë hequr kufizimet, duke lejuar që sallonet e bukurisë dhe palestrat të rihapen, në kundërshtim me paralajmërimet nga zyrtarët e shëndetit publik se hapa të tillë janë të parakohshëm. Ndërsa katastrofa ekonomike e shkaktuar nga bllokimet rritet, gjithnjë e më shumë njerëz mund të jenë të gatshëm të thonë “mjaft”.

“Tani ekziston një lloj konflikti”, thotë Dr. Rogers. Zyrtarët e shëndetit publik shohin një fund mjekësor, por disa në publik shohin një fund shoqëror.

“Kush do të jetë ai që do të shpallë fundin?”, thotë Dr. Rogers. “Nëse nuk pajtoheni me nocion e përfundimit, çfarë po kundërshtoni? Çfarë pretendoni kur thoni: “Jo, nuk po mbaron”.

Sfida, thotë Dr. Brandt, është se nuk do të ketë fitore të papritur. Përpjekja për të përcaktuar fundin e epidemisë “do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë”.