Kumanovë, Osmani: Gjendja me virusin korona është nën kontroll, por ka mungesë të kuadrove


Qyteti i Kumanovës në dy ditët e fundit ka shënuar edhe dy viktima të reja të cilët kanë qenë të diagnostifikuar me virusin korona. Në të dhënat që u publikuan dje nga Ministria e Shëndetësisë, u raportua se pacienti 73 vjeçar që ka ndërruar jetë, ka qenë i shtrirë në Klinikën për Sëmundje Infektive, ndërsa ka pasur simptoma të sëmundjes dhe komorbiditet. Ndërkohë, dje pas dite ka ndërruar jetë edhe një lehonë 27 vjeçare, e cila ka lindur para një jave dhe është diagnostifikuar me virusin korona, por nuk e ka transferuar sëmundjen tek foshnja. Sa i përket numrit të të infektuarve, pas Shkupit, Kumanova është qyteti që ka regjistruar më shumë raste me virusin korona në vend.

Aliriza Osmani, mjek në repartin e infektivit në Kumanovë tha se edhe përskaj të rritjes së numrit të të infektuarve në Kumanovë, gjendja momentalisht është stabile dhe po menaxhohet mirë.

“Për momentin situata është nën kontroll. Numri është në rritje, por jo në mënyrë të madhe dhe drastike. Për momentin kapacitetet janë të plota, por dikush del dikush vjen dhe plotësohen”, tha Osmani.

Por, ai tha kanë mungesë të pajisjeve, siç janë respiratorët mekanik, si dhe theksoi që ka mungesë të konsiderueshme të kuadrove shëndetësore.

“Nuk disponojmë me ventilatorë mekanik, ato i posedon vetëm qendra shëndetësore klinike infektive “8 shtatori” dhe qendra rajonale në Manastir. Këto janë për momentin që disponojnë por Manastiri nuk ka edhe shumë, qendra klinike ka respiratorë, të caktuar por, numri është për momentin nën kontroll. Ne mund t’i kemi gjithë ato por, a kemi kuadro të përgatitur për atë? Ajo është mjekësi multidiciplinare dhe nuk është ajo esenca. Duhet të ketë ekipe, vetëm me një ekip nuk mundet. Ne mund të kemi spitale super moderne por, neve na mungon stafi shëndetësor, në gjithë Maqedoninë e Veriut, nuk po flas vetëm për te ne. Kjo mbetet në të ardhmen që institucionet të shohin dhe Qeveria, që mjekët të kenë një pozicion shumë më të lakmuar sa i takon stimulimeve, të jepen specializimi sa më shumë dhe të pranohen kuadro shëndetësorë, pavarësisht a janë mjek apo infermiere”, deklaroi Osmani.

Në lidhje me këtë, ai tha se gjendjen e kuadrove e ka rënduar mjaft edhe ikja e mjekëve profesionistë në vendet e perëndimit.

“Mjekët posaçërisht kanë ikur në perëndim sepse kanë kushte më të mira materiale dhe sigurinë e vetë personale dhe materiale. Ndërsa, te ne po shihet se sa edhe për atë paraqet mungesë. Ne mund t’i kemi pajisjet, por nuk i kemi kuadrot të përgatitura dhe ato nuk përgatiten brenda ditës. Pajisjet mund t’i blejmë nesër por, 6 vite duhet kuadrot të përgatiten vetëm për mjek dhe 6 të tjera për specializim”, sqaroi Osmani.

Ndërkaq, sot në Kumanovë janë regjistruar edhe 12 raste të reja, me çka numri i përgjithshëm i të infektuarve me COVID-19 në këtë qytet ka shkuar në 143. Numri i përgjithshëm i infektuarve në Maqedoninë e Veriut, sipas raportit të sotshëm, është 633 persona.

Baby Boo