Kukan: EPP e inkurajon VMRO-DPMNE-në të mos bëjë thirrje për bojkot


Eurodeputeti nga Partia popullore evropiane (EPP), Eduard Kukan, në intervistë për MIA-n thotë se familja demokristiane evropiane e VMRO-DPMNE-së po bën gjithçka për ta bindur lidershipin e partisë t’u bëjë thirrje anëtarëve të votojnë në referendum. Kukan beson se “përgjegjësia do të mbisundojë tek bashkëpartiakët e tij nga Maqedonia.

“Nga lidershipi i EPP-së po tentojmë ta bindim partinë tonë simotër se është në interes të vendit dhe se duhet të ketë forca përgjegjëse politike në vend, se është çështje me implikime afatgjate, të sjellin vendim që do ta obligojë anëtarësinë të marrë pjesë. Por tnai për tani na thonë se nuk ka vendim formal”, thotë Kukan.

Eurodeputeti Kukan sqaron se VMRO është në “periudhë të vështirë zhvillimore” pas njëmbëdhjetë viteve pushtet.

“Partia nuk është e bashkuar rreth kësaj çështjeje. Dëgjova se Antonio Milloshoski, për shembull, po zhvillon fushatë për bojkot, kështu që e tërë kjo pjesërisht është reflektim i gjendjes në të cilën ndodhet partia. Tajming i keq për partinë është që një çështje e këtillë e rëndësishme duhet të zgjidhet dhe mendoj se do të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre. Në vend se t’i dezinkurajojmë, po tentojmë pozitivisht t’i inkurajojmë të shkojnë dhe të votojnë”, shton ai.

Sa i përket Greqisë, ku partia simotër e EPP gjithashtu e kundërshton marrëveshjen, Kukan thotë se atje “SYRIZA ka shumicë për ta miratuar marrëveshjen” dhe se “kjo është më me rëndësi”. Kukan thotë se personalisht e mbështet marrëveshjen, por ajo që është më me rëndësi për EPP-në është që qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e vet të votës dhe të mos bojkotojnë.

“Pa qenë patetik, detyrë patriotike e të gjithë njerëzve në Maqedoni është të marrin pjesë dhe me atë ta shprehin mendimin e vet për zhvillimin e ardhshëm të vendit. Ju lutem, dilni dhe votoni”, i porositi Kukan qytetarët e Maqedonisë.

Sipas tij, nuk ka hapësirë për dilemë rreth asaj nëse me të vërtetë do të ndodhë anëtarësimi në NATO dhe fillimi i negociatave me BE-në nëse kalon referendumi.

“Ka mjaft deklarata zyrtare të përfaqësuesve të lartë të BE-së dhe të NATO-s, të cilat janë porosi të qarta, obligime të qarta se kjo do të ndodhë në rast të epilogut pozitiv të referendumit. Tani nevojitet të dilet në votim”, deklaroi Kukan.

Në pyetjen çka nëse nuk kalon referendumi për emrin, Kukan thotë se nuk dëshiron aspak të mendojë për një skenar të tillë dhe se “nuk ka plan B”.

Baby Boo