Kukan dhe Flekenshtajn: Nuk ka mundësi të dytë, besojmë në referendum të suksesshëm


Europarlamentarët Knut Flekenshtajn dhe Eduard Kukan sot në Shkup i porositën qytetarët të thonë “po” në referendumin vijues, duke cekur se nga kjo varet integrimi evropian i vendit. Ata sot në konferencë për shtyp në Shkup përmendën se kontesti është pengesë për integrimin e vendit, sepse vendimet në Union sillen në mënyrë konsensuale.
“Nëse nuk tejkalohet kontesti me Greqinë kjo do të thotë se edhe në të ardhmen do ta kemi problemin e njejtë. E dini se të gjitha vendet-anëtare duhet të dakordohen në mënyrë që të sillet vendim. Patët kontest me Greqinë, tani ekziston mundësi ai të zgjidhet përfundimisht dhe do të jemi mjaft të kënaqur nëse kjo do të ndodhë. Do të jetë më lehtë për të gjithë, të përshpejtohen gjërat dhe prandaj kërkoj të thoni ‘po’”, tha Flekenshtajn, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve çka nëse referendumi nuk ka sukses.
Kukan, duke folur për çështjen e njejtë tha se nuk mendojnë për plan B.
“Nuk mendojmë për plan B. Mendojmë për plan A, se rezultati nga referendumi do të jetë pozitiv dhe do ta hapë rrugën e Maqedonisë drejt BE-së”, u ndërlidh Kukan.
Dy europarlamentarët referendumin vijues e cilësuan si moment historik, me të cilin hapet mundësia që të ndikohet pozitivisht ndaj aspiratave evropiane dhe euroatlantike të Maqedonisë.
“Qytetarët të marrin pjesë në referendum dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e vet për të votuar për shkak të rëndësisë që e ka ky referendum”, tha Kukan dhe shtoi se ata kanë plotësisht të drejtë të jenë të informuar për atë se çfarë ndikimi do të ketë vota e tyre.
Kukan theksoi se e drejtë kushtetuese e çdo qytetari është se si do të deklarohet dhe shtoi se vendimi është i qytetarëve të Maqedonisë.
Flekenshtajn theksoi se epilogu i referendumit do ta përcaktojë të ardhmen e vendit, të qytetarëve, familjeve, gjeneratave të ardhshme.
“Ju lutemi shkoni dhe votoni, mos thuani se nuk brengoseni. Pas 27 viteve keni mundësi që vitin e ardhshëm të filloni negociata me BE-në”, theksoi ai.
Kukan përmendi se përveç referendumit, për integrim në BE, Maqedonia duhet të tregojë edhe rezultate të dukshme, me çka Komisionit evropian do t’i mundësohet të rekomandojë datë për fillim të negociatave.
“Rregullat e përgjithshme vlejnë për të gjithë, për secilin vend-kandidat dhe zakonisht konkludimet çdoherë bazohen në rezultatet reale, të cilat i tregon vendi. Në vendimin e fundit të Këshillit të Evropës thuhet se Maqedonia dhe Shqipëria përparojnë mirë dhe nëse vazhdon zhvillimi i tillë i ngjarjeve, konsiderojmë se në qershor të vitit të ardhshëm Këshilli i Evropës mund të sjellë vendim pozitiv”, theksoi Kukan.
Ai në të vërtetë u përgjigj në pyetjen e gazetarëve lidhur me atë nëse zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin evropian, në maj të vitit të ardhshëm do të ndikonin ndaj vendimit për fillim të negociatave.
“Konsideroj se kjo nuk do të ndikojë në mënyrë drastike ndaj ngjarjeve të ardhshme. Konkludimet e ardhshme do të bazohen në atë se si ju do t’i përmbushni detyrat e juaja të shtëpisë”, shtoi ai.
Flekenshtajn u ndërlidh se referendumi është i rëndësishëm, por se reformat janë gjithashtu mjaft të rëndësishme.
“Dëshirojmë ta përshpejtojmë procesin dhe kjo do të thotë se Qeveria duhet të tregojë reforma, nga ana tjetër nevojitet që edhe ne ta bëjmë detyrën tonë, ta reformojmë BE-në. Edhe votuesit tanë druajnë se Unioni nuk do të mund të funksionojë me më shumë anëtare, nëse nuk reformohet. Edhe ne duhet të përgatitemi për të ardhme të përbashkët”, shtoi ai.
Europarlamentarët shprehën kënaqësi nga gatishmëria për pjesëmarrje në procesin Zhan Mone nga ana e të gjitha partive politike parlamentare. Theksuan se raundi ia rdhshëm i dialogut është planifikuar për në dhjetor dhe janar./PC

Baby Boo