Kufiri Kosovë-Serbi, Rama flet për herë të parë: Luhet fati i Kombit


Përballë gazetares Eni Vasili, kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë rreth idesë së hedhur për rishikim të vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur nga Eni Vasili se përse ka zgjedhur të heshtë, kur të gjithë kanë folur, Rama u përgjigj:

“Është një çështje që i takon shtetit të Kosovës. Na një anë në Kosovë ka një debat mbi një ide, jo një platformë. Nga ana tjetër, si përfaqësues i Shqipërisë ndjej detyrimin që të respektoj vendimin e tyre. Unë kam qenë i qartë, se do të flas për Kosovën, por nuk mund të flas në emër të Kosovës. Është e paudhë për mua që të bëj komentatorin. Na duhet shumë më tepër se sa debati i radhës”.

Rama u shpreh se çështja e kufirit është mjaft delikate, ku luhet fati jo vetëm i Kosovës, por i kombit shqiptar.

“Shqipëria ka detyrimin të mbështesë fuqimisht Kosovën dhe në këtë detyrim të ndjekë dhe të presë se çfarë përfaqësuesit e Kosovës mendojnë se për çfarë gjërash janë dakord të bëjmë. Unë nuk mund të bëjë tutorin e Kosovës. Kjo është një çështje ku luhet fati jo i Kosovës, por i kombit shqiptar dhe mund të bëhen gabime shumë të rënda”, u shpreh Rama.