KTHEHET NGA BRUKSELI “DELEGACIONI I BURRAVE” – FLASIN TË GJITHË DHE PËRMENDIN MUNDIMET E VËSHTIRËSITË


Pjesëtarët e delegacionit kosovar që udhëtuan në Bruksel të martën janë rikthyer në Kosovë sot rreth orës 21:00 dhe kanë folur të gjithë në një konferencë për shtyp të mbajtur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Delegacioni ishte i përbërë nga gjashtë burra: presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj e Dardan Gashi dhe për këtë fakt është kritikuar nga ministrja e Integrimeve Dhurata Hoxha dhe nga kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila.

Në konferencën e mbajtur në Aeroportin “Adem Jashari” kanë folur të gjashtë pjesëtarët e delegacionit. Të gjithë kanë uruar për rekomandimin pozitiv për vizat dhe kanë përmendur “mundimet e vështirësitë” që ata thonë se kanë kaluar deri në marrjen e këtij rekomandimi.

Presidenti Thaçi tha se për këtë lajm në Kosovë është punuar dhe pritur tash e një dekadë, raporton Insajderi.

“Një gjë është e sigurt. Të gjithë kemi punuar për këtë arritje dhe sot duhet të ndihet mirë dhe krenar çdo qytetarë i Republikës së Kosovës”, deklaroi Thaçi, i cili tha se ka besim që procesi i liberalizimit të vizave do të përmbyllet në fundin e këtij viti. “Të gjithë kemi marrë përgjegjësi gjatë këtij procesi”.

Kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi se është bërë punë për të arritur rekomandimin pozitiv për vizat.

“Unë po ndalem vetëm për t’ju thënë se çdo punë që është në interes të këtij vendi nuk do të ndalet. Do të doja t’i uroja të gjithë qytetarët e vendit. Urime Kosovë”, u shpreh kryeministri.

Edhe kryeparlamentari Veseli u shpreh i lumtur me marrjen e rekomandimit pozitiv për vizat nga Komisioni Evropian, por tha se nuk është çështja se kush do ta marr meritën për këtë proces. Megjithatë, ai foli për punën që është bërë për këtë arritje.

“Tani e kemi qëllim se në dhjetor të këtij viti të kemi liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë për qytetarët e Kosovës”, u shpreh Veseli.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli tha se kjo arritje është rezultat i “mundit dhe punës së institucioneve të Kosovës.”

Zëvendëskryeministri Limaj falënderoi administratën shtetërore për punën që ka bërë gjatë procesit të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave. “Rekomandimi pozitiv për vizat nga Bashkimi Evropian tregon se ata [Bashkimi Evropian, v.j] e ka njohur punën tonë dhe mundin tonë”, u shpreh zëvendëskryeministri Limaj. /Insajderi.com

Baby Boo