Kthehen në bu*rg të dënuarit e rastit “Monstra” që ishin liruar për tu mbrojtur në liri


Prokuroria sot kërkoi paraburgim për Agim Ismailoviqin, i akuzuar për rastin “Monstra” për vrasjen e pesëfishtë afër liqenit të Smilkovës. Prokurorja Fatime Fetai tha se paraburgimi për Ismailoviqin u kërkua për shkak të dyshimeve se mund të arratiset, pasi përveç shtetësisë së Maqedonisë ka dhe shtetësi të Kosovës. Për shkak se gjykimi u shty, pas kërkesës për paraburgim, në vend të gjykatësit që e gjykon Ognen Stavrev, vendosi Këshilli Penal, i cili konfirmoi paraburgimin për Agim Ismailoviqin dhe për Fejzi Azirin.

“Të pandehurit F.A iu shqiptua masa e paraburgimit për 30 ditë, dhe e njëjta u dërgua në Burgun hetues Shkup, ku po mbahet i pandehuri, ndërsa për A.I. është shqiptuar masa e paraburgimit dhe e njëjta është dorëzuar në Ministrinë e Brendshme”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Ndonëse sot rasti “Monstra” u anulua, prokurorja Fetai kërkoi që personat për të cilët kërkoi paraburgim, të qëndrojnë në gjykatë derisa gjyqi nuk vendosë nëse do ketë paraburgim, duke pas parasysh se të akuzuarit rrezikojnë burg të përjetshëm. Por gjykatësi i çështjes tha se ai nuk mund ti mbajë në gjyq derisa nuk ka ndonjë vendim.

Pas këtij qëndrimi të gjykatësit, Agim Ismailoviq u largua, edhe pse prokuroria këmbëngulte ai të qëndrojë në gjykatë. Më pas policia e gjeti Ismailoviqin në shtëpinë e tij dhe e dërgoi në burgun e Shutkës. Përveç tij edhe Fejzi Azirit të akuzuar në këtë rast janë edhe Haki Aziri dhe Sami Luta. Në Kosovë gjenden të akuzuarit e parë Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq për të cilët ende pritet të ekstradohen në vend.

Sipas avokatit, Naser Raufi, këto masa Fetani i ka propozuar në mënyrë të padrejtë, jashtë praktikës së deritanishme gjyqsore dhe janë propozuar pas pjesës formale, pasi që seanca e sotme është shtyrë për shkak se njëri nga avokatët ndodhet në spital. Avokati Raufi dyshon se prokurorja është irrituar pasi kanë propozuar dëshmi dhe dëshmitarë të tjerë. Ai tha për televizionin Shenja se gjithmonë kanë pasur mirëkuptim për propozimet e prokurorisë dhe të njëjtin mirëkuptim kanë pritur edhe nga ana e kundërt.

Procesi gjyqësor për rastin “Monstra” nisi nga fillimi pasi Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 solli vendim që lënda “Monstra” e ktheu në rigjykim. Pas këtij vendimi Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri u liruan nga paraburgimi dhe ndaj tyre u shqiptuan masa për siguri, gjegjësisht paraqitje të rregullt në gjykatë. Nga të akuzuarit në këtë rast, vetëm Fejzi Aziri ndodhet në burg për shkak e është i dënuar për një rast tjetër gjyqësor. Dy të akuzuarit e tjerë, Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, ndodhen në arrati në Kosovë.

Baby Boo