Kryetari i komunës së Dibrës shprehu falënderim për policinë, armatën dhe qytetarët


Hekuran Duka, i cili udhëheq edhe me Shtabin operativ, sot i’u falënderua institucioneve për bashkëpunimin në ballafaqimin me gjendjen aktuale me koronavirusin.

“Shpreh falënderim të madh, në emrin tim dhe të qytetarëve, te pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, së bashku me kryeshefin e Repartit për Punë të Brendshme në Dibër, të cilët në kryerjen e detyrës ishin në nivel më të lartë, duke e shtuar maksimumin e mundshëm. Mirënjohje dhe falënderim edhe për pjesëtarët e Armatës së Maqedonisë së Veriut, të cilët kujdesen për sigurinë e kufirit, si dhe përfaqësuesit e QMK-së dhe DMB-së me gatishmërinë e tyre 24 orëshe”, tha Duka.

Ai i falënderoi qytetarët të cilët i kanë respektuar rekomandimet e Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe kërkoi prej tyre edhe më tutje të jenë të kujdesshëm sikur deri tani. Duka ka informuar se 11 persona nga Dibra, të cilët ishin në shërim shtëpiak, sot do të testohen dhe përderisa testi del negativ do të thotë se janë shëruar.

“Tre ditët e fundit nuk ka raste të reja me Kovid-19 nga Dibra, ndërsa dhe njëri nga pacientët e hospitalizuar në Klinikën për sëmundje infektive është regjistruar si i shëruar. Prej atyre rasteve të dyshimta të cilat ishin testuar këto ditë, deri tani, ka rezultat për 15 prej tyre dhe ato janë negativ të Kovid-19, ndërsa për katër ende pritet rezultati”, deklaroi Duka.

Kryetari i komunës së Dibrës ka informuar se firma e zgjedhur në tender gjatë ditës së djeshme dhe natën i ka pastruar të gjitha rrugët dhe rrugicat në qytet nga dëbora, ndërsa sot është e kalueshme rruga për në fshatin Kosovrast i Epërm.

Ai shtoi se sipas protokollit të parashikuar sot nga Dibra për në Gjermani kanë shkuar tetë persona të cilët ishin zënë me shpalljen e gjendjes së krizës më 13 mars.

Baby Boo