Kryeministri sot e ka marrë rrogën 3000 euro!


Ministria e Financave ka ekzekutuar sot pagat me rritje dhe në formë retroaktive, konform vendimit të qeverisë.

Muharrem Shahini, zyrtar për informim në Ministrinë e Financave, e ka konfirmuar për KALLXO.com se pagat janë ekzekutuar me rritje

“Po, pagat janë ekzekutuar me rritje”, tha ai.

Në pyetjen se a janë ekzekutuar në formë retroaktive, Shahini tha se nuk e di saktë për secilin institucion, por tha se retroaktiviteti është aplikuar në ato institucione që i kanë dërguar listat, ndërsa për ato që nuk i kanë dërguar, do të aplikohet muajin e ardhshëm.

KALLXO.com ka pyetur edhe për kategorinë nga e cila janë ekzekutuar pagat, meqë rritja nuk është paraparë me Ligjin për Buxhetin 2018, por nuk ka marrë ende përgjigje.

Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim në fund të dhjetorit 2017 për dyfishimin e pagave për kabinetin e tij, të gjithë ministrat me stafin përcjellës dhe disa kategori tjera.

Ky vendim kishte shkuar në Gjykatën Kushtetuese dhe pas opinionit të kësaj gjykate se i njëjti nuk bie ndesh me Kushtetutën, Qeveria kishte rikthyer vendimin e shfuqizuar sa ishte në këtë gjykatë.

I vetmi ministër deri tash që ka refuzuar pagën e rritur deri më tani është ai i Financave, Bedri Hamza, bashkë me ekipin e tij të këshilltarëve.

 

Baby Boo