Kryeministri slloven propozon ndryshim të kufijve të Maqedonisë dhe kthim të Gruevskit në Shkup


Sllovenia ka shkaktuar reagime në mbarë Ballkanin, pasi në opinion është paarqitur informacion për një dokument “non pejper” të propozuar nga kryeministri slloven, Janez Jansha, në selinë e BE-së në Bruksel, që parasheh ndryshim të kufijve në Ballkanin Perëndimor.
Siç kanë raportuar mediumet, ky dokument është në mesin e prioriteteve të Sllovenisë e cila nga korriku duhet ta marë kryesimin gjashtë mujor me BE-në.

Mirëpo plani, ose “non pejperi” i Janshës nuk ka mbetur vetëm në raportime mediale. Bosnja e Hercegovina ka reaguar zyrtarisht, duke thirrë në bisedë në Ministrinë e Jashtme ambasadorin slloven në Sarajevë. Konfirmim gjysmë zyrtar për ekzistimin e kësaj ideje ka dhënë edhe anëtari kroat në kryesinë e BeH, Zheljko Komshiq, i cili ka thënë se gjatë vizitës më 5 mars, presidenti slloven Borut Pahor ka pyetur nëse Bosnja është e gatshme të shpërbëhet në mënyrë paqësore. Zyrtarisht ka reaguar edhe eurodeputetja sllovene Tanja Fajon, kundërshtare e kryeministri Jansha, duke e vlerësuar këtë ide si nxitëse të një lufte të re në Ballkan.

Edhe pse reagime zyrtare deri më tani kanë ardhur kryesisht nga Bosnja e Hercegovina, plani i quajtur “Shkatërrimi përfundimtar i Jugosllavisë në mënyrë paqësore”, përfshin edhe Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Shqipërinë.
Sipas informacioneve që kanë arritur në opinion lidhur me dokumentin në fjalë, BeH duhet të ndahet në tri pjesë dhe entiteti kroat dhe ai serb t’i bashkangjien Kroacisë, respektivisht Serbisë.

Dokumenti parasheh ndarje të Kosovës sipas planit Thaçi-Vuçiq, kurse pjesë të banuara me shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi t’i bashkëngjiten Shqipërisë.
Është interesante se dokumenti mes tjerash parasheh edhe kthimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski në Maqedoninë e Veriut. Jansha është mik i afërt politik me Gruevskin.

Pas insistimeve të mediumeve, sot ka reaguar edhe kabineti i presidentit maqedonas, Stevo Pendarovski.
“Pa marë parasysh a ekziston dokument i tillë, ose jo, qëndrimi i presidentit Pendarovski moti kohë është i ditur dhe shumë herë i përsëritur, se çdo ndryshim i kufijve në Ballkan nuk do të kontribuojë për stabilizim të rajonit”, kanë thënë nga kabineti i Pendarovskit për “Slloboden Peçat”.

Nga Qveria e Maqedonisë së Veriut thonë se nuk posedojnë informacion për ekzistimin e “non pejperit” të tillë.
“Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s, integriteti dhe sovraniteti i saj territorial është betonuar dhe në këtë kuptim nuk ekziston kurrfarë rreziku. Republika e Sllovenisë ka qenë dhe mbetet përkrahëse e fuqishme e integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe kjo është dëshmuar shumë herë deri tani në vepër. Ballkani mundet vetëm të integrohet në BE, që popujt të jetojnë më mirë. Nga ajo perspektivë, në të ardhmen presim heqje të kufijve në pajtim me politikat kufitare evropiane”, kanë deklaruar nga Qeveria në Shkup.

Baby Boo