Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka vizituar Nexhmie Pagarushën pasi ajo është liruar nga spitali, ku ishte shtrirë pas disa lëndimeve që i kishte marrë në një aksident në shtëpi.
“Janë disa njerëz që çdo gjëje i japin shkëlqim dhe jetën e bëjnë më të bukur. E tillë është ikona e këngës shqipe, Nexhmie Pagarusha”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Kryeministri Haradinaj këtë vizitë e ka zhvilluar së bashku me bashkëshorten e tij Anitën,
“E vizituam sot në shtëpinë e saj tek po merr trajtim mjekësor pas një lëndimi dhe i uruam shërim të shpejtë. Bylbyli i muzikës shqiptare ishte gjithmonë shembull i forcës njerëzore përballë sfidave dhe ajo do t’ia dalë edhe kësaj herë, me sukses”, ka shkruar Haradinaj.
Pagarusha mbrëmë ka kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e disa lëndimeve që ka marrë në shtëpi.
Zëdhënësi i QKUK, Shpend Fazliu i ka thënë KALLXO.com se e njëjta është jashtë rrezikut për jetë pasi i është dhënë ndihma mjekësore.
Pagarusha më 7 maj ka mbushur 85 vjet, e njëjta njihet si bilbili i Këgës Shqipe.
Këngëtarja Nexhmije Pagarusha është shpallur si ‘Këngëtarja e Shekullit” .
Në vitin 2012 presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani e ka dekoruar me titullin “Nderi i Kombit”.
Kënga “Baresha” cilësohet si një nga kryeveprat e Pagarushës.