Kroacia duhet ta fitojë Botërorin!


Kroacia do të marrë pjesë për herë të parë në një finale të Kupës së Botës. Historia mund të shkruhet të dielën nëse kroatët do të arrijnë të triumfojnë në finalen e Moskës. Jua sjellim tri arsye se pse Kroacia duhet ta fitojë Kupën e Botës, shkruan Gazeta “Zëri”.

Finalja e Kupës së Botës është shumë afër, ndërsa Franca, që ka triumfuar një herë në këtë garë në vitin 1998, do të ketë përballë Kroacinë, e cila merr pjesë në finalen e saj të parë në histori të këtij kompeticioni. “FIFA.com” sjell tri arsye se pse Kroacia meriton që ta fitojë finalen e Moskës të dielën.

1. Një kolektiv i mrekullueshëm dhe motivimi maksimal

Përzgjedhësi i Kroacisë Zlatko Dalic ka bërë diçka të pabesueshme. Atmosfera në ekip kurrë nuk ka qenë më e mirë, një gjë të cilën lojtarët e kanë ritheksuar disa herë. Ata janë ndier si një familje e vërtetë gjatë këtij Kampionati Botëror, duke qenë së bashku për 50 ditë. Lojtarët duket sikur do të ishin në gjendje të vdisnin për njëri-tjetrin në fushë me përpjekjet që bëjnë. Pavarësisht se luajtën në tri ndeshje radhazi në vazhdime, ata kanë treguar se dëshira e tyre kolektive për të fituar është e lartë.

2. Forca mendore dhe karakteri

Danimarka, Rusia dhe Anglia – këto janë ekipet që u mposhtën nga Kroacia, dy prej të cilave i mposhti me penalti. Kroatët kanë dominuar në këto ndeshje nga aspekti mental dhe fizik.

Kapiteni Luka Modric disa herë ka thënë: “Ne kemi treguar karakterin tonë”. Fuqia e personalitetit të kroatëve do t’u shërbejë pozitivisht atyre në finalen ndaj Francës. Çdo fitues i Kupës së Botës përgjatë historisë është dashur të tregojë një karakter të madh.

3. Përvoja shton vetëbesimin

Modrici është lideri i kësaj gjenerate të madhe të kroatëve. Përveç futbollistit të Real Madridit, ka edhe yje të tjerë në skuadrën e Dalicit, duke përfshirë lojtarë nga Barcelona, Interi, Juventusi dhe Liverpooli. Ivan Rakitic, Mario Mandzukic, Ivan Perisic, Mateo Kovacic dhe Dejan Lovren janë disa prej tyre. Me një moshë mesatare prej 27 vjetësh e 10 muajsh Kroacia ka një përvojë të madhe dhe vetëbesim gjithashtu, sepse pothuajse të gjithë janë të rregullt me paraqitjet e tyre nëpër klube. Ata të gjithë janë të vetëdijshëm për mundësitë e tyre.

Baby Boo