Kreu i OKB-së “thellësisht i shqetësuar” nga ndodhitë në Kuds gjatë varrimit të gazetares së vrarë

Farhan Haq, zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se kreu i OKB-së ishte “thellësisht i shqetësuar” nga veprimet e “disa” oficerëve izraelitë që sulmuan dhunshëm kortezhin e gazetares së vrarë Shireen Abu Akleh, transmeton Anadolu Agency (AA).

Guterres “ishte thellësisht i shqetësuar nga konfrontimet midis forcave izraelite të sigurisë dhe palestinezëve të mbledhur në spitalin St. Joseph, dhe nga sjellja e disa policëve të pranishëm në vendngjarje”, tha në një deklaratë zëdhënësi Farhan Haq.

“Ai (Guterres) vazhdon të kërkojë respektimin e të drejtave themelore të njeriut, duke përfshirë të drejtat për lirinë e mendimit dhe të shprehjes, si dhe për tubim paqësor”, shtoi ai.

Më herët të premten, policia izraelite sulmoi kortezhin dhe përdori shok-bombe dhe shkopinj policie për të sulmuar mbajtësit e arkivolit të Abu Akleh teksa bartej nga spitali francez në lagjen Sheikh Jarrah të Kudsin Lindor.

Abu Akleh, një gazetare veterane 51-vjeçare, po mbulonte sulmet ushtarake izraelite pranë kampit të refugjatëve Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar kur u qëllua për vdekje të mërkurën. Zyrtarët palestinezë dhe punëdhënësi i saj, Al Jazeera, thonë se ajo u vra nga forcat izraelite.