Kreshnik Bekteshi kërkon ndihmë nga Bashkësia Fetare Islame


Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka kërkuar ndihmë nga kreu i BFI-së për t’u dërguar apel besimtarëve që të përdorin sa më pak energjinë elektrike. Ministri thotë se është shumë e rëndësishme të kursehet, jo vetëm për buxhetin e brendshëm, por edhe për shpenzimet e shtetit për prodhimin e energjisë elektrike.

“Çdo mesazh që do të dalë nga BFI-ja do të jetë mbështetje e madhe dhe në të njëjtën kohë do të shpërndahet nëpër xhami përmes besimtarëve”, tha Kreshnik Bekteshi ministër i ekonomisë. Kryetari i BFI-së, Shaqir Fetahu, u ka dërguar apel qytetarëve dhe besimtarëve për shfrytëzim racional të energjisë elektrike. Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame thotë se objektet fetare nuk janë konsumatorë të mëdhenj të energjisë elektrike. Ai shton se besimtarët kanë kohë që kursejnë dhe përdorin në mënyrë racionale energjinë elektrike gjatë kryerjes së detyrave të tyre.

“Me fjalët tona, me takimet tona do të ndihmojmë për të dalë nga kriza, por edhe për të shpenzuar sa më pak nga buxheti i familjeve tona, qytetarëve tanë, besimtarëve etj. Mendoj se në emër të bashkësisë fetare islame, deklaroj se do të jemi në shërbim të ndihmës për tejkalimin e të gjitha problemeve, sidomos të problemit të konsumit racional të energjisë elektrike”, u shpreh Shaqir Fetahu Kryetar i BFI-së.

Disa muaj më parë u njoftua në media se objektet fetare, përfshirë xhamitë dhe kishat, janë ndër shpenzuesit më të mëdhenj të energjisë elektrike. Pas këtij takimi, Bekteshi paralajmëroi takim me kreun e KOM-it, qëllimi i të cilit do të jetë reduktimi i konsumit të energjisë elektrike në këtë kohë krize energjetike përmes një mesazhi për besimtarët ortodoksë./ Alsat.mk

Baby Boo