Kremlini: Putin dhe Biden sot zhvillojnë bisedë telefonike


Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se një bisedë telefonike mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Joe Biden është planifikuar për 12 shkurt në mbrëmje, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për shtyp, Peskov tha se pala amerikane kërkoi një bisedë midis Putinit dhe Biden-it dhe se biseda është planifikuar për sot në mbrëmje, me orën e Moskës.

Ai deklaroi se Putin ka planifikuar një bisedë telefonike me presidentin francez Emmanuel Macron në të njëjtën ditë.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, tha më herët se Biden së shpejti do të kishte një bisedë telefonike me Putinin për të diskutuar krizën midis Rusisë dhe Ukrainës.

Presidenti rus Putin dhe ai francez Macron u takuan në Moskë, kryeqyteti i Rusisë, më 8 shkurt, kurse të nesërmen Macron bëri një vizitë zyrtare në Kiev, kryeqytetin e Ukrainës.

Më herët ishte planifikuar që Macron të kishte një bisedë telefonike me Putin-in pas vizitës së tij në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara paralajmëruan të premten se pushtimi rus i Ukrainës mund të fillojë gjatë Lojërave Olimpike të Pekinit, të cilat përfundojnë më 20 shkurt.

“Pushtimi mund të fillojë në çdo kohë nëse Vladimir Putin jep një urdhër të tillë … Mund të fillojë gjatë Lojërave Olimpike, pavarësisht spekulimeve të shumta se do të ndodhë pas Olimpiadës”, tha Jake Sullivan, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i presidentit amerikan Joe Biden në një konferencë për shtyp.

Sullivan tha se Washington-i është gati të vazhdojë diplomacinë e orientuar drejt rezultateve që merret me problemet e sigurisë së Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Evropës.

Ai tha se pushtimi rus i Ukrainës mund të fillojë me bombardime ajrore dhe sulme me raketa, të cilat ai tha se “mund të vrasin pa dyshim civilë pavarësisht nga kombësia e tyre”.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare u bëri thirrje amerikanëve në Ukrainë që të largohen nga vendi sa më shpejt të jetë e mundur, “sidomos brenda 24 deri në 48 orëve të ardhshme”.

Baby Boo