Krejt çka dihet deri në këto momente për tërmetin shkatërrues në Siri e Turqi


Numri i të vdekurve nga tërmeti shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën ka arritur të paktën shifren prej 15,865, sipas autoriteteve të atjeshme.

Në Turqi, numri është rritur në të paktën 12,873, sipas Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD).

Në Siri, numri i përgjithshëm i viktimave është të paktën 2,992, duke përfshirë 1,730 në zonat e kontrolluara nga rebelët në veriperëndim, sipas grupit të mbrojtjes civile “Helmetat e Bardha”. Rreth 1,262 vdekje janë regjistruar në pjesët e kontrolluara nga qeveria të vendit, sipas mediave shtetërore siriane.

Agjencitë e ndihmës kanë paralajmëruar se numri ka të ngjarë të rritet ndjeshëm, veçanërisht në Siri, pasi ekipet e kërkimit dhe shpëtimit kalojnë nëpër rrënojat e mijëra ndërtesave të shembura mes kushteve të motit të ngrirë, përballë rrezikut të pasgoditjeve.

Dhjetëra mijëra njerëz janë raportuar të plagosur në të gjithë rajonin, sipas zyrtarëve.

Më herët, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se numri i të vdekurve në Turqi ka arritur shifrën prej 9,057. Presidenti Erdogan i dënoi gjithashtu kritikat që ndërlidhen me përpjekjet e qeverisë për shpëtim, si të ngadalta dhe të pamjaftueshme.

Më shumë se 298,000 njerëz janë detyruar t’i braktisin shtëpitë e tyre për shkak të tërmetit vdekjeprurës të kësaj jave, raportojnë mediat shtetërore siriane. Ky numër duket se është një referencë vetëm për pjesët e Sirisë nën kontrollin e qeverisë, jo ato të mbajtura nga fraksionet e tjera në veriperëndim të vendit, që është më afër epiqendrës së tërmetit të së hënës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë po dërgon ekipe ekspertësh dhe fluturime speciale me furnizime mjekësore në Turqi dhe Siri, ka deklaruar drejtori i përgjithshëm i kësaj organizate, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë për media të ndjekur nga Reuters.

Ekipet e shpëtimit polakë që punojnë në Turqi thanë se i kanë nxjerrë nëntë persona të gjallë nga rrënojat deri më tani, duke përfshirë prindër me dy fëmijë dhe një vajzë 13-vjeçare nga rrënojat në qytetin e Besni.

Punonjësit e shpëtimit dhe banorët shpërthyen në brohoritje kur një familje u shpëtua nga rrënojat e një ndërtese të shkatërruar në fshatin sirian Bisnia të mërkurën. Një burrë, djali dhe vajza e tij u nxorën nga poshtë rrënojave ku kishin ngecur për dy ditë pas tërmetit katastrofik.

Gjatë vizitës në Kahramanmaraş, i cili ishte në epiqendrën e tërmetit, presidenti turk Erdogan deklaroi se “ditën e parë kemi pasur disa probleme, por më pas ditën e dytë dhe sot situata është nën kontroll”. Erdogan premtoi se qeveria synon të ndërtojë banesa brenda një viti për të gjithë ata që kanë mbetur pa shtëpi në 10 provincat e prekura.

Qeveria e Sirisë ka marrë ndihmë nga një mori vendesh arabe, duke përfshirë Egjiptin dhe Irakun, si dhe nga aleati i saj kryesor Rusia, e cila ka dërguar ekipe shpëtimi dhe ka dislokuar forca tashmë në Siri për t’iu bashkuar punës së ndihmës, përfshirë në Aleppo.

Siria e ka aktivizuar mekanizmin e mbrojtjes civile të BE-së, dy ditë pas tërmetit, për të kërkuar ndihmë të mëtejshme nga blloku 27-vendesh dhe tetë shtetet e tjera kombëtare që janë pjesë e programit. Bashkimi Evropian i ka mobilizuar tashmë ekipet e kërkim-shpëtimit për ta ndihmuar Turqinë, ndërsa sistemi satelitor Copernicus i bllokut të BE-së është aktivizuar për të ofruar shërbime të hartës së urgjencës. Të paktën 19 shtete anëtare kanë ofruar ndihmë.

Në rajon ku ka ndodhur tërmeti katastrofik vazhdon të pritet mot i ftohtë me temperatura minimale dhe maksimale në Kahramanmaraş sot prej -6C dhe 1C dhe në Gaziantep ndërmjet -5C dhe 1C . Dijarbakır pritet të ketë reshje dëbore të vazhdueshme, me temperatura që do të rriten deri në 2C ./The Guardian, CNN

Baby Boo