Krasniqi: Kurti po e vendosë Kosovën në hartë me Rusinë, Bjellorusinë, Moldavinë e Republikën Srpska


Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po e izolon Kosovën nga jashtë, duke e quajtur qeverisjen e tij “aventuriere”.

Krasniqi tha se Kurti i ka sjellë sanksione edhe nga aleatët kryesorë, ndërsa “po e keqqeverisë nga brenda, duke e vështirësuar mirëqenien dhe jetën e qytetarëve”.

“Pas përjashtimit të Ushtrisë së Kosovës nga stërvitja e NATO-s, ‘Defender Europe 23’, tani edhe Bashkimi Evropian ka konfirmuar një sërë sanksionesh për vendin tonë, si pasojë e një qeverie aventuriere, e cila ka zgjedhur konfrontimin me aleatë, pas dështimit në çdo sektor përmes qeverisjes jokompetente”, shkroi Krasniqi në Facebook.

I pari i PDK-së tha se me këto veprime, “ky kryeministër i papërgjegjshëm po e vendosë Kosovën në hartën e vendeve të sanksionuara ku, nga Evropa, bëjnë pjesë vetëm Rusia, Bjellorusia, Moldavia e Republika Srpska”.

“A është e mundur që të gjithë ta kenë keq e vetëm Albin Kurti ta ketë mirë? Natyrisht që nuk është e mundur dhe i gabuar këtu është Kryeministri Kurti. Të gjithë e dimë se nëpër çfarë sfida ka kaluar vendi ynë që nga çlirimi, për të arritur shpalljen e pavarësisë e deri tek ndërtimi i institucioneve dhe zhvillimi i vendit. Këtë rrugëtim të suksesshëm e kemi bërë vetëm falë koordinimit të ngushtë dhe mbështetjes nga aleatët tanë strategjik, në krye të të cilëve janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa, tash e mbi dy vjet të qeverisjes nga Albin Kurti, përveç stagnimit e degradimit në çdo sferë të jetës, Kosova po përjeton edhe sanksione nga miqtë e saj”, shkroi tutje Krasniqi.

“Situata nuk është normale dhe nuk mund ta simulojmë normalitetin. Qytetarët kanë nevojë për qartësi në këtë kohë konfuzioni. Dhe një gjë është më se e qartë: Kosova nuk mund të mbetet edhe më tutje peng e tekeve të Albin Kurtit”, përfundoi ai. /21Media

Baby Boo