KPDNJ reagon lidhur me vdekjen e 14 vjeçarit nga Kamenica


Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka reaguar lidhur me vdekjen e 14 vjeçarit nga Komuna e Kamenicës.

“Ngjarja makabër e cila ndodhi më 23 maj 2018, në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, ka tronditur opinionin publik në Republikën e Kosovës dhe është një sinjal për mobilizim të shpejtë dhe të përhershëm që ngjarje të tilla të mos na përsëriten”, thuhet në komunikatë.

Sipas Komisionit për të Drejtat e Njeriut rasti në fjalë është  një tregues se shumë mekanizma institucional nuk janë në nivel të detyrave dhe përgjegjësive të tyre për trajtimin adekuat dhe profesional të personave me të meta të çfarëdo natyre.

“Në këtë drejtim, shoqëria jonë, për institucionet kompetente dhe ato të specializuara duhet të sigurojë kushte dhe standarde të caktuara për trajtimin, mbikëqyrjen dhe izolimin e personave potencialisht të mundshëm për shkaktimin e çdo lloj dhune në familje dhe në shoqëri”, thuhet tutje në komunikatë.

Ky komision e ka vlerësuar si të domosdoshëm përshpejtimin e procedimit të Projektligjit për mbrojtjen e fëmijëve si dhe për të rritur efikasitetin e institucioneve për mbrojtjen e fëmijëve.