Kovid-19 ka evoluar në 6-7 linja të ndryshme! Vaksina është rrugës, arrin në shkurt


Në vendin tonë nuk është hasur mutacion i koronavirusit i cili është shfaqur në Britaninë e Madhe, por kemi 6-7 linja gjenetike të virusit korona, tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili shtoi se kësisoj virusi është hasur në Serbi dhe në Zvicër.

“Virus identik me atë që është detektuar në Britaninë e Madhe jo, tek ne është detektuar 6-7 lloje me modifikime gjenetike në laboratorin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë që nga fillimi i krizës. Kësi lloji virusi si tek ne është regjistruar në Serbi dhe Zvicër”, deklaroi Filipçe.

Filipçe risiguroi se vaksina kundër koronavirusit në vendin tonë do të arrijë gjatë muajit shkurt dhe se dozat do të arrijnë përmes marrëveshjes direkte me kompaninë Pfizer por edhe nga mekanizmi COVAX.
“Tashmë dozat për vendin tonë janë rezervuar dhe siç kemi paralajmëruar, siç ata më kanë thënë, me atë dinamikë presim që dozat e para të arrijnë në muajin shkurt. Njëkohësisht ditëve të fundit kemi informacione edhe nga sistemi “Kovaks” se edhe ato vaksina do të arrijnë në muajin shkurt”, shtoi Filipçe.

Edhe përfaqësuesja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Xhihan Tavilla , siguroi se vaksina është në rrugën e saj për të ardhur. Përparësi për t’u vaksinuar do të kenë punonjësit shëndetësor që janë në frontin e parë të luftës ndaj virusit korona, shtoi Tavilla.
“Vaksina është duke ardhur. Ka shumë përgatitje që duhen bërë. Kemi të bëjmë me metodologji të njohur shkencore, të sigurtë dhe efektive, dhe vaksina do të jepet me prioritet siç është bërë në të gjitha shtetet në botë”, deklaroi Xhihan Tavilla, përfaqësuese e OBSH-së.

Filipçe nuk përjashtoi mundësinë që vaksina të arrijë në vend para muajit shkurt, si pjesë e donacioneve nga vendet e BE-së, por që sipas tij problemi kryesor për vonesën është se edhe vetë vendet e BE-së kanë marrë shumë pak doza të vaksinave.

Baby Boo