Kovaçevski: Lufta në Ukrainë, pasoja për sigurinë dhe ekonominë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se pushtimi i Ukrainës nga Rusia paraqet kërcënim për paqen dhe stabilitetin në botë.

Baby Boo

Në një fjalim të mbajtur të shtunën, ai tha se agresioni ushtarak “është shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe kërcënim për sigurinë euroatlantike”.

“Ne, së bashku me aleatët, kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të armiqësive. Shekulli 21 duhet të jetë shekull i dialogut, jo i luftës”, tha ai.

Kovaçevski shtoi se gjendja e sigurisë në Maqedoninë e Veriut është stabile dhe se, aktualisht, nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe stabilitetin e këtij vendi.

“Qytetarët duhet të jenë të qetë, sepse, si shtet anëtar i NATO-s, ne mund të llogarisim në mbrojtjen që ofron aleanca më e fuqishme ushtarake në botë. Edhe pse dëshira jonë është të shmangim situata të tilla, megjithatë, në kushte të tilla të destabilizimit të madh të sigurisë, e kuptojmë se sa e rëndësishme është të jesh pjesë e aleancës më të fuqishme ushtarako-politike”, tha Kovaçevski.

Për lajme në kohë reale nga lufta në Ukrainë, na përcillni në këtë blog.
Ai tha se sfidë kryesore për Qeverinë e tij dhe qytetarët do të jetë kriza ekonomike, nëse lufta zgjat më shumë

“Sfidat më të mëdha, me të cilat përballemi, janë ekonomike. Për shkak të veprimeve ushtarake të Rusisë kundër Ukrainës, kriza globale energjetike dhe ekonomike tani po thellohet. Na pret një vit i pasigurt, ku do të vuajë ekonomia në Evropë dhe në botë”, tha Kovaçevski.

“Kjo krizë është një sfidë e madhe, por ju siguroj se mund ta kapërcejmë dhe do ta kapërcejmë me përpjekje të përbashkëta”, shtoi ai.

Maqedonia e Veriut iu bashkua sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, ndërsa shprehu gatishmërinë që t’i ofrojë të gjitha kapacitetet e saj për veprimet ushtarake apo masa tjera për, siç tha, ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Maqedonia e Veriut është bërë vend anëtar i NATO-s në vitin 2020.