Kryeministri Dimitar Kovaçevski, tha se nuk do të ketë rikonstruktimi të Qeverisë, ndërsa i ka cilësuar si spekulime lajmet në disa media se ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali do të largohet nga posti i të parit të shëndetësisë. Madje, Kovaçevski ka lavdëruar punën e deritanishme të Bekim Salit, duke thënë, se ai është duke përgatitur disa projekte kapitale.
“Ministri i Shëndetësisë në kapacitet të plotë është duke e bërë punën e tij, dhe po e shohim se është duke e bërë shumë mirë, duke parë se kemi kaluar edhe një pikë të koronavirusit. Gjithçka shkoi mirë për qytetarët, shëndetësia ishte e organizuar në mënyrë të shkëlqyeshëm dhe ai është duke punuar në disa investime kapitale, që duhet të bëhen gjatë këtij viti dhe vitit tjetër”, tha Kovaçevski. Ai tha se nuk ka asnjë pengesë në bashkëpunimin me Alternativën, përkundrazi tha se bashkëpunimi është në nivelin e shkëlqyer. /SHENJA/