Kotzias opozitës: Dëshironi Maqedoni nën ndikimin e Turqisë, ose Maqedoni mike?


Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, në lidhje me kritikat e opozitës ndaj marrëveshjes së emrit të arritur mes vendit të tij dhe Maqedonisë, pyeti atë nëse dëshiron një Maqedoni nën ndikimin e Turqisë ose një që ka marrëdhënie miqësore me vendin e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

“A dëshironi një FYROM që është nën ndikimin e Turqisë ose FYROM që ka marrëdhënie miqësore me ne? Duhet t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje, e jo nëse vallë jemi duke u ngutur ose jo”, u shpreh ai në një intervistë për agjencinë shtetërore greke AMNA, në të cilën shefi i diplomacisë greke iu përgjigj pyetjeve rreth marrëveshjes së emrit të arritur me Maqedoninë dhe krizës diplomatike me Rusinë.

Kotzias theksoi se janë pjekur kushtet për marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e çështjes së emrit, ndërsa shtoi se dëshirojnë një fqinj që zhvillon lidhje gjeografike dhe ekonomike në vend të një “fundementalizmit sllav” në Maqedoni dhe përbërjes së një “lëvizjeje terroriste” të mundshme drejt Greqisë nga veriu i saj.

“Greqia është e vendosur t’i japë mesazhin lindjes, perëndimit, atyre që i kemi miq dhe nuk i kemi miq, se do të merren masat e përshtatshme ndaj atyre që shkelin respektin ndaj sovranitetit tonë dhe nesh. Periudha e diplomacisë kur mbylleshin sytë mbeti prapa”, tha Kotzias në lidhje me sanksionet e Greqisë ndaj katër diplomatëve rusë.

Ndërkaq, në lidhje me anulimin e vizitës së homologut të tij rus Sergey Lavrov në Athinë, Kotzias tha se “Është e drejtë e tij të mos vijë në rast se konsideron veten njësoj me personat e dëbuar dhe ata të cilëve u është ndaluar hyrja në vend”.

Më herët, Greqia ka vendosur të dëbojë dy diplomatë rusë dhe të ndalojë hyrjen në vend të dy diplomatëve të tjerë, me arsyetimin se “Kanë ndërmarrë hapa që kërcënojnë sigurinë kombëtare të Greqisë”.

Në lajmet në mediat greke pretendohet se diplomatët akuzohen për ndërhyrje duke inkurajuar rritjen e protestave dhe reagimeve në vend në lidhje me çështjen e emrit me Maqedoninë.

Nga ana tjetër, Rusia kishte njoftuar se është anuluar vizita e Lavrovit në Greqi.

Ndryshe, marrëveshja e arritur për zgjidhjen e çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë parasheh që vendi të ndryshojë emrin në “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Me këtë hap, parashihet që Maqedonisë t’i hapet rruga drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, megjithatë, disa grupe në Maqedoni dhe Greqi, përfshirë partitë opozitare, kundërshtojnë marrëveshjen.

Baby Boo