Kosovë:Heqja dorë nga shtetësia, ka frikësuar BE-në për vendimin rreth vizave


Nga janari deri në tetor të këtij viti nga shtetësia e Kosovës kanë hequr dorë rreth pesë mijë qytetarë, kurse shtetësinë e kanë fituar rreth 300 të tjerë. Shifra përafërsisht të njëjta të heqjes dorë nga shtetësia kanë qenë edhe në vitin e kaluar.

Sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare Arben Fetoshit, frustrimi i qytetarëve me gjendjen në vend “ka frikësuar” Bashkimin Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Frustrimi i qytetarëve, i cili ndoshta është shkaku kryesor që ka frikësuar shtetet anëtare të BE-së lidhur me vendimin për liberalizimin e vizave, është evident dhe manifestohet me shkallë të lartë demoralizimi, por lënia e shtetësisë është më shumë e lidhur me mundësinë dhe përcaktimin e qytetarëve tanë për një shtetësi tjetër në vendet evropiane ose përtej”, ka deklaruar Fetoshi.

Liberalizimi i vizave sipas tij do të mundësonte çlirimin psikologjik të qytetarëve, ndërsa mosliberalizimi i vizave do të shtonte pakënaqësinë dhe do të nxiste lënien e mëtejshme të shtetësisë së Kosovës.

“Në këtë kuptim liberalizimi i vizave do të ishte faktor i rëndësishëm për çlirimin psikologjik të qytetarëve dhe në qoftë se vendimi do të merret në fillim të dhjetorit, një hapje e tillë do të ndikojë pashmangshëm edhe në atë që është quajtur ‘zbrazje e heshtur’ e Kosovës, si pikënisje për rikthimin e besimit dhe shpresës së njerëzve. E kundërta vetëm sa do ta shtojë pakënaqësinë dhe do ta nxisë ikjen e mëtejshme të qytetarëve, pa marrë parasysh mundësinë e tyre për të hequr dorë ose jo nga shtetësia”, ka deklaruar ai, shkruan zëri.

Në anën tjetër, sipas analistit politik Ramush Tahiri heqja dorë nga nënshtetësia nuk është e pranishme vetëm në Kosovë. Sipas tij, kjo gjë është prezente edhe në shtetet e tjera të Ballkanit.

“Heqja e nënshtetësisë është çështje e vullnetit nga të gjitha shtetet e Ballkanit. Kjo për arsye që politikat e shteteve evropiane kanë ndryshuar dhe nuk e lejojnë dyshtetësinë. Njerëzit në zgjedhjen e tyre se a ta mbajnë shtetësinë e Kosovës ose të Gjermanisë, ose të çfarëdo vendi heqin dorë nga njëra”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, shtetësia e Kosovës qytetarëve është duke u bërë problem edhe në vendet tjera në disa aspekte.

“Shtetësia e Kosovës veç po u bën telashe, sepse po kanë pengesa në integrimin atje, qoftë në regjistrimin e popullsisë ose edhe në gjëra tjera. Ka të bëjë me atë se ku po dëshiron një njeri të pozicionohet për jetesë e ku siguron jetën më të mirë për fëmijën e vet”, është shprehur ai.

Baby Boo