Kosovë/Vendim: S’ka pushim të hënave kur festat zyrtare bien në fundjavë


Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës ka mbajtur mbledhje korresponduese, e 24-ta me radhë në të cilën ka miratuar projektligje, vendime dhe dokumente të tjera të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore. Qeveria i ka proceduar Kuvendit të Republikës së Kosovës mendimin lidhur me nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës. Në mendimin e Qeverisë janë përfshirë opinionet e Ministrisë së Financave dhe Departamentit të së Drejtës së BE-së.

Sipas proceduarave përkatëse, të gjitha institucionet e lartcekura i kanë përcjellë opinionet dhe deklaratat e tyre sipas fushëveprimit përkatës. Në rrjedhë të kësaj, Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson nismën legjislative të iniciuar nga deputetët propozues të Kuvendit të Republikës së Kosovës për miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, nëpërmjet së cilës krijohet baza ligjore për shënimin e Ditës së Egjiptianëve më 24 qershor, si ditë memoriale.

Qeveria e konsideron të nevojshme që ky projektligj duhet të plotësohet dhe ndryshohet dhe neni 4 të fshihet në tërësi dhe të riformulohet si në vijim: “Kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, nuk do të jenë ditë pushimi ditët pasardhëse të punës”. Gjithashtu, mendimi i Qeverisë është proceduar në Kuvendin e Republikës së Kosovës edhe për nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës. Qeveria ka marrë opinionet e Ministrisë së Financave dhe Departamentit të së Drejtës së BE-së të cilat kanë përcjellë opinionet dhe deklaratat e tyre sipas fushëveprimit përkatës të tyre.

Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson nismën legjislative të iniciuar nga deputetët propozues të Kuvendit të Republikës së Kosovës për miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës por e konsideron si jo të plotë për të përmirësuar procesin dhe procedurat e organizimit të zgjedhjeve në Kosovë. Qeveria e Kosovës konsideron se kjo nismë legjislative duhet të adresojë të gjitha çështjet që janë identifikuar si parregullsi gjatë monitorimit të proceseve zgjedhore nga organizatat monitoruese ndërkombëtare dhe vendase.

Është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me Financimin e Programit – Nxitja dhe Levimi i Mundësive për Sigurimin e Ujit. Projektligji synon të ratifikojë marrëveshjen e cila është nënshkruar më 13 korrik 2020 dhe i siguron Kosovës një kredi në shumën prej 25,100,000 euro.

Baby Boo