Kosovë: Përmbaruesit ‘rrjepin’ ministrinë e kulturës


Sikur zyrtarë të Ministrisë së Kulturës të ishin më vigjilent ndaj një kërkese të ardhur nga përmbaruesit që janë angazhuar nga dy kompani kontraktuese të ministrisë, do të mund të mbronin 157 mijë euro të buxhetin e shtetit. Por neglizhenca e tyre ia ka humbur këto para. Tash rasti pritet t’i kalojë prokurorisë.

Përmbaruesi ia merr 157 mijë euro Ministrisë së Kulturës – dyshohet se zyrtarët e bënë me qëllim
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është minus 157 mijë euro. Ia kanë marrë përmbaruesit privat, që janë angazhuar nga dy kompani private. Zyrtarë të Ministrisë së Kulturës që janë të thirrur që t’i përgjigjen kërkesave të tilla që bëjnë kompanitë, thjesht e kanë injoruar procesin dhe kanë shkelur afatet ligjore. E kur afatet ligjore janë tejkaluar, paratë i janë marrë automatikisht.

Bëhet fjalë për dy kompani të cilat ishin kontraktuar nga Ministria e Kulturës por nuk ua kanë paguar avancin e parave të kërkuara sipas ligjit. Për këtë arsye, kompanitë “N.P.N Favor – Ing” dhe “Euro Albi SH.P.K”, kishin angazhuar përmbarues që t’i nxjerrin paratë. E para ka arritur t’ia marrë MKRS-së 30 mijë euro ndërsa e dyta 127 mijë euro.

E për këtë humbje, në Ministrinë e Kulturës është formuar edhe një komision disiplinor ndaj këtyre zyrtarëve. Me kërkesë të sekretarit të përgjithshëm, Veton Firzi ishte krijuar një komision me përbërje Bislim Bislimi, Atdhe Lila dhe Shkurte Kadriu.

Por komisioni nuk ka mundur të marrë asnjë vendim ndaj Antoneta Shtufi-Gojani, zyrtare në Departamentin e Thesarit në Ministrinë e Financave dhe Taibe Selmani, udhëheqëse e Divizionit të Financave në MKRS. Komunikimi i këtyre dy zyrtareve po dyshohet se ka quar në humbjen e këtyre parave.

“Komunikimi në mes Antoneta Shtufi – Gojani dhe Taibe Selmani, cilësohet si fshehje e dokumentacionit të lëndëve përmbarimore, gjë që ka mundësuar kalimin e afateve ligjore për kundërshtim të vendimeve me pasojë ekzekutimin e shumave të pretenduara nga palët duke dëmtuar buxhetin e institucionit në shumën totale prej afër 157.000 euro për të dy lëndët”, thuhet në raportin e Komisionit Disiplinor.

“Gjatë verifikimit të komunikimeve elektronike të zyrtarëve të lartëcekur, Komisioni Disiplinor konstatoi se bëhet fjalë për dyshime që konsistojnë në mos prezantim në adresën e duhur, gjegjësisht fshehje të dokumentacionit të dy lëndëve përmbarimore, gjë që ka mundësuar kalimin e afateve ligjore për kundërshtim të pretendimeve, me pasojë ekzekutimin e shumave të pretenduara nga palët duke dëmtuar buxhetin e institucionit në shumë totale prej afër 157.000 euro në të dy lëndët”, thuhet tutje në raport.

Osman Gashi, zyrtar për Informim në Ministrinë e Kulturës, i tha Insajderit, se për këtë çështje është iniciuar rast tek organet kompetente.

“Vendim MKRS-ja nuk ka ndërmarrë për rastin në fjalë pasi që është proces që është ndërhyrë me përmbarimorët. Kurse, sa i përket të përfshirëve në këtë rast, MKRS nuk jep informacione në këtë fazë”, ka thënë Gashi.

Përfaqësuesi i Kompanisë Euro Albi, Fitim Azizi ka thënë për Insajderi se kjo kompani ka qenë fituese e tenderit për ndërtimin e Palestrës Sportive në Komunën e Klinës, sponzorizues i së cilës ka qenë Ministria e Kulturës, dhe se sipas tij kjo ministri nuk i ka paguar shumën prej 127 mijë eurosh si avans për fillimin e punimeve. Dhe se kjo kompani e ka dërguar këtë rast tek përmbaruesi privat, përmes së cilit kanë arritur që t’i marrin këto para.

“Ne si kompani e kemi fituar tenderin për ndërtimin e Palestrës Sportive në Komunën e Klinës, të cilën e ka financu Ministria e Kulturës. Kjo ministri sipas tenderit është dashur që të na jap avans për fillimin e punimeve shumën prej 127 mijë eurosh. Nuk e ka bërë, deri në momentin kur ne e kemi dërguar tek përmbaruesi privat. Pasi që i kemi dërgu na kanë lëshuar paratë”, tha Azizi.

Nga Kompanisë së Ndërtimit “Favor Ing” Halil Bytyqi dhe Safet Kuqi, nuk kanë qenë të qasshëm në thirrjet e Insajderit./Insajderi

Baby Boo