Kosovari që u arrestua në Gjermani akuzohej më herët për rrëmbim dhe vrasje


Bujar Behrami është personi i dyshuar i cili është arrestuar sot nga Policia e Kosovës pasi Prokuroria Speciale e Kosovës ka nxjerr aktvendim për ndalimin e tij dhe tre personave të tjerë me inicialet R.K, A.D dhe L.M. të dyshuar për përgatitje të akteve terroriste.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhet se gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit, Bujar Behrami janë konfiskuar një armë automatike AK47, tre karikatorë të armës AK 47 me 40 fishekë, një pushkë ajrore, një revole volt, një palë dylbi, një veturë me targa të huaja si dhe disa pajisje elektronike me të cilat dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale.

Bujar Behrami është arrestuar nga autoritet Gjermane pasi Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për arrestimin e tij, thuhet ndër tjera në njoftim.

Mirëpo nuk është hera e parë që i dyshuari Bujar Behrami akuzohet për vepra të ndryshme penale.

Në janar të vitit 2014 Policia e Kosovës kishte marrë informata se Bujar Behrami së bashku me Genc Selimin po përgatisnin rrëmbimin dhe vrasjen e një qytetari serb në rajonin e Vushtrisë.

Hetimi kishte zbuluar se ata përbënin një grup të rinjsh me prirje radikale fetare, të gatshëm për të kryer sulme terroriste, siç janë cilësuar nga Prokuroria. Për këtë u raportuar se ata kishin blerë edhe armë adekuate si snajper e eksploziv TNT.

Rastin e këtyre të rinjve, të dyshuar për përgatitje të sulmeve terroriste e ka marrë EULEX-i. Prokurori special i këtij misioni, Robert Kucharski është në krye të hetimit.

Ndërsa në urdhër arrestin e sotëm të Prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht me Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, ka ndërmarrë operacione për bastisjen dhe ndalimin e tre personave me inicialet R.K., A.D dhe L.M., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Baby Boo