Kosova po humb miliona euro nga bllokada ajrore e Serbisë


Kryetari i nderit i Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë ka thënë se Kosova po humb qindra miliona euro nga bllokada ajrore që Serbia po vazhdon t’ia bëjë Kosovës. Sipas tij, për çdo fluturim drejt Kosovës dhe anasjelltas kompanitë humbin rreth 7 mijë euro pasi që detyrohen t’i shmangen hapësirës ajrore të Serbisë.

Remzi Ejupi, kryetar i nderit i Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, ka thënë se Kosova po humb qindra miliona euro nga bllokada ajrore që Serbia po vazhdon t’ia bëjë Kosovës.

Ejupi në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se shuma e mjeteve që kanë humbur, por edhe dëmi nga bllokada prej dy dekadash është shumë e madhe. Madje ai thotë se për këtë çështje së paku deri më tash nuk është diskutuar seriozisht nga autoritetet vendore, respektivisht nga ana e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, institucion ky i cili drejtohet nga Driton Gjonbalaj”. Humbjet janë shumë të mëdha në aspektin material, ashtu edhe në aspektin kohor.

7 mijë euro humbje vetëm për një fluturimSipas përllogaritjeve të bëra, për shkak të anashkalimit të hapësirës ajrore të Serbisë kostoja shtesë për çdo fluturim është 7 mijë euro, kur e llogaritim se brenda vitit janë më shumë se 15 mijë fluturime, atëherë shihet se dëmet që pësojnë qytetarët janë shumë të mëdha, qindramilionëshe”, ka thënë Ejupi.
Ejupi thotë se karshi këtij problemi të madh është dashur të jetë shumë më aktiv dhe agresiv Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, por sipas tij këta të fundit përpos mjeteve që ua marrin kompanive asnjë punë tjetër thuajse nuk bëjnë.

“Ata Autoritetin e kanë bërë si një lloj sulltanati, ata aty bëjnë çfarëdo që duan vetë. Aty së pari ata marrin rroga tejet të larta, madje më të larta se të presidentit, të kryeministri, por edhe të zyrtarëve tjerë të lartë të shtetit, edhe kanë punësuar njerëz vetëm e vetëm sa për të marrë paga”, ka thënë më tutje biznesmeni Ejupi.
Vendimi, veprim i qëlluar

Biznesmeni Ejupi gjatë intervistës për gazetën “Zëri” ka folur edhe rreth vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës prej 100% për produktet e Serbisë, si dhe ato të Bosnjë e Hercegovinës. Ejupi ka thënë se një vendim i tillë është shumë i mirëpritur, pasi që më në fund ndal agresionin e prodhimeve serbe ndaj atyre kosovare që nuk kanë mundur të zhvillohen.

Madje, sipas tij, produktet serbe mund të zëvendësohen brenda një kohe shumë të shkurtër me produkte të shteteve tjera. Sipas tij, Turqia mund të ishte njëra prej mundësive për zëvendësim të produkteve të Serbisë, siç tregon ai, marrëveshja e tregtisë së lirë mes këtyre dy shteteve ka kohë që është nënshkruar, por e njëjta vazhdon të mbahet në sirtarë të Zyrës së Presidentit.

Baby Boo