Kosova hapë dyert për strehimin e gazetarëve ukrainas, ndahen mjete financiare për ta


Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 150 mijë eurove në emër të pranimit në Kosovë të 20 gazetarëve nga Ukraina në kohën kur vendi po përballet me agresionin rus.

Qeveria nëpërmjet një njoftimi për media, pas mbledhjes elektronike ku u miratua ky vendim, ka bërë të ditur se këto mjete do të përdoren me qëllim të mbulimit të shpenzimeve që lidhen me qëndrimin e këtyre gazetarëve në Kosovë për një periudhë deri në 6 muaj.

“Identifikimi dhe përzgjedhja e gazetarëve do të bëhet nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke u dhënë përparësi gazetareve gra”, thuhet në njoftim.

Vendimi për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas është një bashkëpunim në mes të Qeverisë së Kosovës, Federatës Evropiane të Gazetarëve (European Federation of Journalists) dhe Qendrës Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias (European Centre for Press and Media Freedom).

Mjetet buxhetore të aprovuara nga kabineti qeveritar përfshijnë mbulimin e shpenzimeve të qirasë, zyrës, sigurimit shëndetësor, pagës mujore dhe shpenzimet e transportit për gazetarët e pranuar, ndërsa mjetet do të alokohen për periudhë gjashtë mujore me mundësi vazhdimi varësisht zhvillimeve në Ukrainë.
Kosova është rreshtuar në ndihmë të Ukrainës duke iu bashkëngjitur paraprakisht të gjitha vendimeve sanksionuese që Bashkimi Evropian (BE) dhe SHBA i kanë vendosur Rusisë./ Anadolu Agency/

Baby Boo