Kosova fiton me Izraelin, justifikohen izraelitët: Fusha, si stallë derrash


Kosova arriti fitoren e parë në kualifikueset e Europianit. Ndeshja me Izraelin e luajtur të dielën në Prishtinë u mbyll me rezultatin 1 – 0 falë golit të Milot Rashicës në fundin e pjesës së parë. Trajneri i Dardanëve, Primoz Gliha tha se ekipi krijoi shumë.

“Ne kishim shumë raste për të gjetur golin, por në një fushë si kjo është e vështirë. Megjithatë kur krijon kaq shumë, do të thotë që ekipi është shumë mirë”.

Ky takim i prapambetur u zhvillua në masa të rrepta sigurie. Izraelitët thanë se në këtë ndeshje ndikoi edhe situata e luftës në vendin e tyre.

Trajneri Alon Hasan: Të gjithë ne mendojmë për familjet, për ushtarët dhe pengjet. Lufta është pjesë e jona, pasi vendi yt është më i rëndësishëm se futbolli. Por ne duhet të luajmë futboll që të përfaqësojmë vendin tonë sa më mirë.

Futbollisti Eran Zahavi: Ishte më shumë stallë derrash se fushë futbolli. E kemi ditur se nuk do të jetë lehtë në secilën situatë dhe nuk morëm pikë sonte.

Kosova pas 8 ndeshjesh ka 10 pikë dhe renditet në vendin e katërt. Dardanët do të përballen me Zvicrën më 18 Nëntor në Bazel dhe me Bjellorusinë më 21 Nëntor në Prishtinë.

Baby Boo