Kosova edhe më tej po sfidohet me mungesë të informacioneve për varreza masive


Familjarët e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë bëjnë thirrje që faktori ndërkombëtar të bëjë presion mbi Serbinë, e jo të luaj vetëm rolin e lehtësuesit të dialogut. Vitin e kaluar është trajtuar me prioritet gërmimi i varrezave masive në Kizhevak të Serbisë, ndërkaq, në Kosovë është punuar në nëntë lokacione të ndryshme ku janë zhvarrosur vetëm dy trupa. Bajram Çerkini, udhëheqës i shoqatës “Zëri i Prindërve” kritikon edhe Qeverinë në Kosovë për mungesë të strategjisë.

“Jo ne familjarët, por edhe ai që e ka kryer klasën e tretë fillore e dinë se krimet i ka bërë Beogradi, Slobodan Millosheviqi dhe kriminelët. Dhe si shumicë, 1620 persona janë në territorin e Serbisë. Pse po më thoni Beogradi i ka. Beogradi po, por ti punët brenda nuk i ke kryer, punët, lokacionet brenda nuk i ke kryer”, tha Bajram Çerkini, Udhëheqës i Shoqatës “Zëri i Prindërve”.

Kushtrim Gara nga Komisioni i Qeverisë së Kosovës për të Pagjeturit thotë se gjatë vitit të kaluar ka qenë prioritet procesi i gërmimeve në Kizhevak, ku në nëntor të vitit 2020 ishte konfirmuar ekzistimi i varrezës masive dhe mbetjeve mortore.

“…gjatë pjesës së parë të vitit 2021, në mënyrë të veçantë gjatë muajit maj të vitit 2021, janë gjetur dhe zhvarrosur eshtra të nëntë personave, viktimave të luftës. Nga të cilat kanë qenë shtatë identifikime të reja dhe dy raste ribashkimi. Këto raste ribashkimi i takojnë eshtrave që janë varrosur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës gjatë vitit 2014”, tha Kushtrim Gara, Komisioni qeveritar për të pagjeturit.
Eksperti mjekoligjor, Arsim Gërxhaliu thotë se duhet punë dhe kapacitete më të mëdha në procesin e zbardhjes së fatit të të pagjeturve.

“Ka nevojë për një punë shumë më të madhe në terren dhe riaktivizimit të rasteve, sidomos nga viti 1999 deri në vitin 2003. Sepse në këtë periudhë i kemi diku mbi gjashtë mijë raste, prej të cilave 4019 ka punuar Tribunali i Hagës pa analiza të ADN-së dhe mbi 2 mijë raste të cilat i kanë varrosur në mënyrë vetanake, pa analizë dhe pa autopsi”, u shpreh Arsim Gërxhaliu, ekspert mjekoligjor.

Komisioni për Personat e Pagjetur synon që këtë vit të nis punën në pesë vende ku ka urdhëresa dhe dyshohet për varreza masive në Kosovë, e po ashtu për dy të tjera në Serbi. Rreth 6500 persona kanë qenë të zhdukur pas përfundimit të lu*ftës. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve. Megjithatë, ende nuk dihet se ku ndodhen eshtrat e mbi 1600 personave.

Baby Boo