Kongresistja e parë myslimane në Amerikë betohet me dorën mbi Kuran


23 vjet pasi e braktisi një kamp refugjatësh në Kenia të Afrikës, Ilhan Omar u bë kongresistja e parë amerikane me mbulesë. Për të u ndryshuan edhe rregullat e betimit. Ajo u lejua të qëndronte në sallën e Kongresit me veshje fetare dhe u betua duke vënë dorën mbi librin e shenjtë të myslimanëve, Kuranin.
Para betimit të saj, në SHBA ekzistonte një ndalesë 181-vjeçare për vendosjen e mbulesave të ndryshme në kokë. Sidoqoftë, kongresistja thotë se një gjë të tillë ia lejon neni i parë i kushtetutës amerikane. “Askush nuk ma vë këtë mbulesë në kokë, unë e vendos atë. Është zgjedhja ime dhe kjo mbrohet me nenin e parë të kushtetutës. Kjo nuk është ndalesa e fundit për të cilën unë do të punoj që të hiqet”, tha Omar.

Ajo është anëtare e Partisë Demokratike të SHBA-së. Për herë të parë, në Kongres janë zgjedhur 102 gra, në mesin e të cilave ka gra myslimane, gra me prejardhje nga Amerika Latine dhe Afrika. Në ceremoninë e betimit morën pjesë edhe shumë familjarë të të zgjedhurve të popullit, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë. Përpos Ilhan Omarit, një myslimane tjetër që ka fituar mandat është edhe Rashida Tlaib, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Baby Boo