Konfirmohet takimi i radhës Kurti – Vuçiq


Takimi i nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të mbahet më 2 maj.

Bashkimi Evropian ka njoftuar se të martën është themeluar Komisioni i përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve.

Lajmin për themelim të Komisionit e ka bërë të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ai, po ashtu, ka konfirmuar se takimi i radhës i nivelit të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq do të zhvillohet më 2 maj në Brusel.

“Detyra e Komisionit të përbashkët është që të mbikqyrë implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin e implementimit të saj. Ky është rezultat konkret dhe implementim konkret i asaj që ishte arritur para 30 ditësh, në takimin e nivelit të lartë, mes presidentit të Serbisë, Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Kurti“, ka thënë Stano.

Kosovën në këtë komitet do ta përfaqësojë ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, ndërsa Serbinë, kryenegociatori i këtij vendi, Petar Petkoviq.

Themelimi i këtij trupi është bërë 30 ditë pas takimit të nivelit të lartë që u mbajt në Ohër ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë, ku në planin e zbatimit parashihet ky afat kohor.

Sipas fjalëve të zëdhënësit të BE-së Peter Stano, termat e “Referencës” pritet të finalizohen dhe miratohen në takimin e parë të Komitetit, i cili do të zhvillohet pas takimit të radhës të dialogut të nivelit të lartë i planifikuar të mbahet në Bruksel të martën më 2 maj.

Baby Boo