Komuna e Tetovës: Qeveria refuzon kërkesën për dëmshpërblimin e dëmeve të shkaktuara gjatë vërshimeve


Qeveria e Maqedonisë së Veriut vazhdon t’i hakmerret komunës së Tetovës, respektivisht qytetarëve të saj duke hedhur poshtë raportin e Komunës së Tetovës, në lidhje me vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në maj të vitit të shkuar. Ne informojmë opinionin se Komisioni për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë elementare i formuar nga qeveria nuk e ka marrë aspak parasysh raportin e komisionit komunal për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet e vitit 2022, edhe përkundër faktit se qeveria e ka për obligim ligjor që të ndihmojë zonat e prekura nga fatkeqësitë natyrore. Ne konsiderojmë se ky vendim i qeverisë për të mos ndihmuar banorët e prekur nga vërshimet ka prapavijë politike si rezultat i humbjes së dyfishtë që pësoi partia politike që është në pushtet.
Në anën tjetër e informojmë opinionin me faktin se gjatë kohës së vërshimeve në Tetovë, në vitin 2022 nuk ka funksionuar këshilli komunal dhe si rezultat i kësaj nuk ka qenë e mundur të formohet komision për vlerësimin e dëmeve, por edhe përkundër kësaj komuna me të gjitha mjetet që ka pasur në dispozicion u ka dalë në ndihmë banorëve. Ne disa herë i jemi drejtuar qeverisë me kërkesë që të merr përsipër kompensimin e dëmeve pasi është edhe obligim ligjor, por kërkesat tona janë refuzuar pa ndonjë shpjegim. Komuna e Tetovës, pas zgjedhjeve për këshillin komunal formoi edhe komisionin për vlerësimin e dëmeve të shkaktuar nga vërshimet në vitin 2022 me çka përgatiti raportin final, raport ky që nuk u pranua nga Komisioni për vlerësimin dhe përcaktimin e dëmit nga fatkeqësitë elementare I formuar nga qeveria e RMV me arsyetime banale madje edhe politike.
Komuna e Tetovës, informon qytetarët se pushteti qendror jo vetëm që nuk ndërmori asnjë hap që tu del në ndihmë qytetarëve të prekur nga vërshimet, por pushteti vazhdon të bëjë obstruksione dhe të krijojë situate të palakmueshme.
Komuna e Tetovës informon qytetarët se do të ndërmerr masa dhe veprime konkrete të nevojshme për të ndihmuar qytetarët e prekur nga vërshimet dhe i siguron se dëmet e shkaktuara nga vërshimet do të kompensohen edhe përkundër krizës financiare me të cilën përballemi si rezultat i keqmenaxhimit nga administrata paraprake. Janë qytetarët ata të cilët vlerësojnë punën e komunës dhe këtë e kanë dëshmuar në zgjedhjet e fundit për këshillin e komunës.