Komuna e Çairit dhe e Tetovës kundër propozimit që kazinot të jenë së paku 100 metra larg shkollave


Objektet e lojërave të fatit të jenë në largësi më të madhe se 300 metra nga objektet shkollore dhe jo 100, siç shkruhet në versionin e fundit të propozim ligjit për lojërat e fatit, kërkojnë nga Komuna e Çairit dhe Tetovës, shkruan Portalb.mk.

“Nuk është kriter i qëlluar që objektet e lojërave të fatit të jenë në distancë prej më së paku 100 metrave prej shkollave. Komuna e Çairit e përkrah iniciativën për miratimin e ligjit të ri për lojërat e fatit, por nuk është e kënaqur me parametrat, respektivisht distancën e propozuar në ligj. Ne do ta shfrytëzojmë të drejtën tonë si komunë që të parashtrojmë ndonjë propozim lidhur me këtë ligj që distanca të mos jetë më e vogël se 300 metra assesi, por do të insistojmë që e njëjta të jetë më e madhe, pasi që kazinot dhe bastoret shkaktojnë dëme mjaft të mëdha për fëmijët”, tha zëdhënësi i Komunës së Çairit, Kushtrim Alla.

Edhe Komuna e Tetovës ka vërejtje në pjesën e ligjit ku thuhet se objektet e lojërave të fatit duhet të jenë minimum 100 metra larg shkollave fillore dhe të mesme.

“Ne si komunë dhe si Këshill Komunal kërkojmë distanca e këtyre objekteve nga shkollat të mos jetë 100 metra, por 300, gjithashtu kërkojmë që komuna të ketë kompetencat e veta sepse nuk është paraparë në asnjë moment”, ka deklaruar kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi gjatë protestës kundër hapjes së  një kazinos përballë Universitetit të Tetovës.

Në versionin e fundit të propozim ligjit për lojërat e fatit, në nenin 5 thuhet se “Hapësirat punuese në të cilën parashihet luajtja e lojërave të fatit të mbyllur tombola ose lojëra elektronike, por edhe objektet në të cilën janë të vendosura lojëra vetëshërbyese (aparate, shkrim i redaksisë), nuk guxojnë që të jenë në largësi më pak se 100 metra nga shkollat fillore dhe të mesme”.

Dallimi i këtij versioni me atë paraprak, është që fillimisht objektet e lojërave të fatit të jenë në largësi prej 300 metrave, por tani është ndryshuar në 100 metra.

Momentalisht, propozim-ligji është në përpunim në Ministrinë e Financave, ndërkaq pas kësaj pritet që të dërgohet për miratim në Qeverinë e Maqedonisë dhe më pas në Kuvend.

Problemi me kazinot në Tetovë, Çair, por edhe në komunat tjetër është i kahmotshëm duke e pasur parasysh numrin e madh të tyre. Qytetarët e Çairit dhe Tetovës së fundmi kanë mbajtur protesta kundër numrit të madh të kazinove me kërkesë që të njëjtat të largohen nga afërsia e shkollave.

Baby Boo