Kompletohet kabineti qeveritar. Ja kush do jenë ministrat e ri


Arbër Ademi do të jetë ministri i ri i Arsimit, ndërkohë që zëvendës i tij në këtë resor do të jetë deputeti aktual i LSDM-së, Petar Atanasov. Këtë për KDPolitik.com e thanë burime nga kabineti i kryeministrit, të cilët konfirmuan se kabineti i ri qeveritar është i kompletuar dhe i njëjti do të procesuohet në ditët në vijim.

Deri më tani Ademi ka qenë zëvendës në resorin e Arsimit, kurse më parë ishte zëvendës-kryeministër për integrime në Bashkimin Europian. Ai vjen nga Kumanova dhe punon si profesor universitar në Universitetin e Shtetëror të Tetovës. Me profesion është jurist.

Ndërkaq, Asaf Ademi do të jetë kandidat i Lëvizjes BESA, për ministër të Kulturës. Siç ka njoftuar TV SHENJA, Ademi do të zëvendëson Allagjozovskin, pas marrëveshjes mes kryetarit të Lëvizjes BESA Afrim Gashi, me kryeministrin Zoran Zaev për hyrje të Besës në Qeverinë e Maqedonisë.

Asaf Ademi është nga Gostivari. Ka magjistruar në fushën e inxhinierisë në Shkup. Ai ka qenë ambasador i Maqedonisë në Danimarkë, kurse në zgjedhjet e fundit lokale ishte kandidat i lëvizjes BESA në zgjedhjet e fundit lokale për komunën e Gostivarit.

Ministër pa resor i angazhuar për investime të huaja do të jetë nënkryetari i PDSH-së, Bardhyl Dauti. Ai është nga Tetova kurse me profesion është ekonomist dhe profesor universitar. Një figurë e re në radhët e PDSH-së, i cili gjithashtu në zgjedhjet e fundit parlamentare u zgjodh deputet, ndërkohë që pas kandidimit për kryetar në komunën e Tetovës në zgjedhjet e fundit lokale dha dorëheqje nga ky funksion.

Siç mëson KDPolitik, zëvendësministër i Shëndetësisë do të jetë urologu nga Struga, Asim Musa.

Pas kombinimeve dhe taktizimeve të shumta, më në fund është arritur deri te ujdia që hap rrugën e zgjerimit të koalicionit qeverisës me partnerë të rinj.

Më 10 maj, LSDM dhe BDI u pajtuan që pjesë e qeverisë të bëhen BESA e Afrim Gashit dhe PDSH-ja e Menduh Thaçit. Të dyja partitë, që së bashku numërojnë 5 deputetë, do të marrin poste ministrore dhe në eshalonet tjera të pushtetit.

Ndërkohë, marrëveshja parashihte që BESËs së Bilall Kasamit t’i ofrohen poste qeveritare nga eshaloni i dytë e më poshtë. Por, Kasami refuzoi ofertën pasi nuk pranoi të përfaqësohet me poste zëvendësministrash, sekretarësh shtetërorë dhe drejtorësh të ndërmarrjeve shtetërore dhe publike.

Dy partnerët më të mëdhenj të koalicionit, LSDM e kryeministrit Zoran Zaev dhe BDI e Ali Ahmetit, u morën vesh që Ministria e Drejtësisë t’u kalojë Socialdemokratëve, kurse ajo e Arsimit të drejtohet nga Integristët. Drejtësia poashtu ka mbetur pa drejtues që nga dorëheqja e Bilent Salihut. Ky resor i rëndësishëm për reformat në gjyqësor është bërë atraktiv për LSDM, e cila në këmbim i ka ofruar BDI Arsimin.

Me këtë riformatim, qeveria do të fitojë një shumicë parlamentare që do të numërojë 67 deputetë nga gjithësej 120. Kështu, LSDM me 49, BDI me 10, BESA e Gashit me 3, PDSH me 2, , RDK me 1 deputet dhe dy të pavarur (Amdi Bajram dhe Çedomir Sazdovski) do të tentojnë të bëjnë Parlamentin më funksional në drejtim të zbatimit të reformave. Kësaj shumice parlamentare pritet t’i bashkëngjiten edhe 3 deputetë të Partisë Socialiste dhe një i partisë së turqve etnik, të gjithë nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së./KDPolitik.com

Baby Boo