Kompania e familjes së presidentit Thaçi tmerron banorët e një fshati të tërë

KOSOVO. 2012. Hashim Thaçi Prime Minister of the Republic of Kosovo.

Punimet e kompanisë “Geo Mineral” në fshatin Astrazup të Malishevës po i tmerrojnë banorët e fshatit. Ata akuzojnë kompaninë që ka pronar Idriz Thaçin – vëllain e presidentit Hashim Thaçi – se po u shkakton dëme materiale si pasojë e shpërthimeve. “Geo Mineral” thotë se ankesat e banorëve janë të pabaza, ndërkaq Ministria e Mjedisit i jep të drejtë kompanisë.

Kompania e Idriz Thaçit, vëllait të presidentit Hashim Thaçi, po u shkakton probleme banorëve të fshatit Astrazup në Komunën e Malishevës. Banorët e fshatit ankohen se nga punimet e kompanisë që merret me biznesin e thyerjes së gurit, u janë dëmtuar edhe shtëpitë.

Banori i fshatit Astrazup, Asllan Morina, thotë se punimet e kompanisë në të cilën është pronar Idriz Thaçi, shkaktojnë dridhje të mëdha nga shpërthimet që vijnë si pasojë e minerimit.

“Kur minohet nga kompania, minohet jashtë kontrollit. Ka shumë shpërthime të mëdha, edhe dridhje aq të mëdha sa nga dridhjet plasaritet edhe shtëpia. Çdo mëngjes kur zgjohemi shihet pluhuri tek tavolinat e tek dritaret”, ka thënë Morina për RTV Dukagjinin.

Por, dëmi e pasojat që shkakton gurthyesi “Geo Mineral” kanë kaluar edhe në ujin e pijes. Kështu thotë Avdyl Morina, banor i fshatit. Ai shprehet se ujit të destinuar për pije në Astrazup i vije era barut, që sipas Avdyl Morinës, vjen si shkak i punimeve të kompanisë “Geo Mineral”.

“Krejt ujit që e pimë ne i vije era barut. Ne nuk i kemi kushtet me ble ujë tjetër. Krejt gurë është uji; madje edhe çaji kur shërbehet, shija e tij është sikurse e barutit”, thotë Avdyl Morina.

Menaxheri i gurthyesit “Geo-Mineral”, i cili nuk ka pranuar të flasë para kamerës për televizionin Dukagjini, ka thënë se minerimi i gurëve zhvillohet brenda suazave ligjore. Ka thënë se ankesat e banorëve vijnë për shkak se asnjë banor i fshatit nuk është i punësuar në kompani.

Ndërkaq, në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thonë se punimet zhvillohen nën mbikëqyrjen e inspektoratit përkatës.

“Gurorja ‘Geo-Mineral’ ka pëlqim mjedisor. Kjo gurore është inspektuar nga inspektorët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe është konstatuar se i plotëson të gjitha kushtet për të vazhduar punimet”, ka thënë zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi.

Kompania “Geo Mineral” ka qarkullim milionësh nga shfrytëzimi i pasurisë nëntokësore dhe prokurimet publike. Mes vitit 2009 dhe 2011 kompania e Idriz Thaçit, vëllait të presidentit Hashim Thaçi kishte fituar tri tenderë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

Tenderin e parë që “Geo Mineral” e kishte fituar nga KEK-u ishte më 21 prill të vitit 2011 dhe kishte një vlerë prej 156 mijë eurove. Ndërkaq, tenderin e dytë e përfitojë më 24 prill të vitit 2009 dhe kishte vlerë prej 205 mijë eurosh.

Një tender tjetër në vlerë prej 1 milionë e 298 mijë e 332 euro, kompania “Geo Mineral” e kishte fituar më 7 dhjetor të vitit 2009. Tenderi kishte të bënte me ndërtimin e linjës së re të gypit për furnizim me ujë të rëndomtë për Termocentralin “Kosova B” nga kanali Ibër-Lepenc.

Të tre tenderët që kjo kompani fitoi nga KEK-u arritën vlerën e mbi 1 milion e gjysmë eurove.

E në kohën kur “Geo Mineral” fitoi tri tenderë nga KEK-u, zyrtar i prokurimit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) ishte Nijazi Thaçi, kushëri i Idriz Thaçit dhe Hashim Thaçit, i u emërua ushtrues detyre i drejtorit ekzekutiv të KEK-ut një javë më parë.

Baby Boo