Kompania e cila deportoi 6 gylenistët, mund të gjobitet deri në një milionë euro


Kompania me të cilën kanë udhëtuar gjashtë shtetasit turq të deportuar nga Kosova ka gënjyer për qëllimin e fluturimit, ngase leja është kërkuar për fluturim komercial.

Kjo kompani del të ketë gënjyer për qëllimin e fluturimit, ngase leja është kërkuar për fluturim komercial, deklaroi para komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Driton Gjonbalaj, drejtor në Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), kur po raportonte raportin për vitin 2017.

Por ai tha se kjo është përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës (MI).

“Është përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës, si hisedar dhe kolegë që punojmë bashkë e me e dimë se kërkesa për fluturim është bërë në MI si fluturim komercial, kompania ka gënjyer për qëllimin e fluturimit. Çfarë ka ndodhur në ndërkohë është duke u hetuar. AAC për shkak se nuk është kompetencë e saj nuk ka qenë e përfshirë direkt në këtë proces”, ka thënë Gjonbalaj.

Ai tha se nëse miratohet fluturimi komercial AAC bën vetëm kontrollin teknik të aeroplanit, duke shtuar se asnjë pasagjer nuk mund të hyjë në aeroplan pa u kontrolluar së fundi nga Policia e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

“Nëse miratohet fluturimi komercial, AAC bën kontrollin teknik të aeroplanit. Përderisa asnjë pasagjer nuk mund të hyjë në aeroplan pa kaluar, PK-ja është autoriteti final që i kontrollon të dhënat e udhëtarëve për me qenë pasagjer në atë aeroplan, nuk e di që mund të ketë mekanizëm tjetër për të kaluar deri në aeroplan”, ka shtuar ai.

Gjonbalaj tha se Ministria e Infrastrukturës është duke u marrë me këtë çështje, por se mund të vendoset gjoba deri 1 milion euro për atë operator dhe të merren masa të tjera.

“MI është duke bërë punë të madhe në të gjitha rrethanat që ka marrë të dhëna, mund të vendos gjoba deri 1 milion euro. Autoritetet kompetente me përpikëri janë duke vazhduar punën e vet deri në përfundimin e këtij rasti”, ka thënë Gjonbalaj.

Baby Boo