Komisioni i Jashtëm, VMRO-ja kërkon materialet e klasifikuara për emrin


As sot shefi i diplomacisë Dimitrov nuk arriti të raportojë në Kuvend për pozitën ndërkombëtare të vendit. Antonio Milloshovski i VMRO DPMNE-së i cili kryeson me komisionin për politikë të jashtme insiston në shqyrtimin e dokumenteve të klasifikuara nga takimi i liderëve me presidentin lidhur me emrin.

Për të parë se kush në shtet ka bërë vepër penale, tradhti apo patriotizëm; kush në shtet ka bërë akt të mirë për mbrojtjen apo për shkeljen e Kushtetutës; kush e ka sjellë shtetin në pozitë më të mirë apo e ka nënshtruar ndaj një shteti të tretë është më së miri ta kemi materialin – deklaroi Antonio Milloshovski, VMRO DPMNE.

Kush në Republikën e Maqedonisë ka legjitimitet më të madh sesa deputetët e zgjedhur nga populli, qoftë në pushtet a në opozitë për të vendosur dhe gjykuar për politikën e jashtme, derisa deputetët janë anëtarë të këtij komisioni për politikë të jashtme?! – u shpreh Dragan Danev, VMRO DPMNE.

Për deputetët e shumicës parlamentare është e papranueshme që Milloshoski të pengojë rrjedhën e seancës, siç theksuan ata, me një seri veprash penale: fillimisht duke i marrë pa pasur të drejtë dokumentet që përmbajnë sekrete shtetërore dhe më pas duke i cituar të njëjtat publikisht. Për ministrin e jashtëm Dimitrov, obstruksionet e opozitës janë veprime kundër shtetit.

Ky proces akoma vazhdon: para nesh është referendumi, në Greqi ratifikimi. Të publikuarit e qëndrimeve dhe pozicioneve negociuese mund të dëmtojë procesin. Madje unë nuk e di se për çfarë materialesh bëhet fjalë dhe kjo më vendos në pozitë të palakmueshme. Në takimin e parë, në janar, ne nuk kemi marrë shënime. Biseduam në nivel krerësh shtetëror-politik dhe nuk kishte marrëveshje për shënime. Kush e ka bërë, si e ka klasifikuar, si ka vendosur se kujt duhej t’i jepej?! – tha Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm.

Nga kabineti i kreut të Kuvendit Xhaferi i cili ka ndaluar shpërndarjen e dokumenteve thonë se Milloshoski, i cili nuk posedon certifikatë sigurie nuk mund të kërkojë, posedojë dhe citojë publikisht dokumente të klasifikuara. Në tentim për të anashkaluar Xhaferin, opozita kërkesën për dokumentet e klasifikuar e dorëzoi tek sekretarja e përgjithshme e Kuvendit Cvetanka Ivanova duke shtyrë seancën për ditën e hënë.

Anesa Salhiu

Baby Boo