KMDLNJ për vrasjen e gruas shtatzënë: “Dështim i mekanizmave mbrojtës të shtetit”


Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), teksa ka reaguar lidhur me vrasjen e gruas shtatzënë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK të mërkurën, ka thënë se fajtor janë “mekanizmat mbrojtës të shtetit”. I dyshuari ende nuk është arrestuar, ndërsa Policia ka bërë thirrje publike për ndihmë për ta kapur atë.

“KMDLNJ-a kërkon dhe pret që Policia e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur të arrestojë të dyshuarin dhe në bashkëpunim me institucionet tjera përgjegjës ta nxjerrin para organeve të drejtësisë”, thuhet në reagim. KMDLNJ-a ka apeluar qytetarët që të informojnë Policinë e Kosovës në rast se kanë dijeni për vendndodhjen e dorasit në mënyrë që të arrestohet sa më parë.

“Për më tepër, KMDLNJ-a kërkon të bëhen hetimet se cilat hallka të zinxhirit institucional përgjegjëse për jetën e të ndjerës kanë dështuar dhe në përputhje me këtë të merren masa konkrete në bazë të shkallës së përgjegjësisë”, vijon njoftimi. Sipas KMDLNJ-së, po të ishte mbikëqyrur urdhri për mbrojtje, do të kishte siguri më të madhe për viktimën.

“Lëshimi më i madh është bërë për faktin se të dyshuarit nuk i ishte vendosur unaza elektronike, baz juridike për të për të cilën ekziston e që parashihet me Ligj që ishte miratuar para dy vjetëve. Zinxhiri i përgjegjësisë është i gjatë dhe çështja nuk përmbyllet me arrestimin e të dyshuarit për vrasje”, vijon reagimi.

Baby Boo