Kjo është pasuria e ish-sekretarit të Ministrisë së Mjedisit i cili u arr*estua sot nga policia


Shtatë persona janë arrestuar në aksionin e sotëm që u zhvillua në disa lokacione në Kosovë, duke e çuar kështu në 17 numrin e të arrestuarve në rastin e njohur si “Brezovica”.
Policia e Kosovës ka zhvilluar aksion edhe në ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me ç’rast ka arrestuar një ish-zyrtar dhe një zyrtar aktual nën dyshimin për keqpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti.

Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku, i cili ishte në këtë pozitë në periudhën 2011-2020. Por cila është pasuria e tij?
Në Agjencinë kundër Korrupsionit, Çitaku ka deklaruar se ka pasuri të paluajtshme e të luajtshme, të hyra e borxhe.

Çitaku ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë të përgjithshme 185,500 euro.Në përjashtim të një banese në vlerë 53,000 euro të cilën Çitaku e deklaroi se është e tija, pjesa tjetër e pasurisë së paluajtshme është raportuar si pronësi e përbashkët.

Ish-sekretari ka deklaruar se posedon një veturë të markës “Renault”, me vlerë prej 15,000 euro.
Po ashtu ai ka deklaruar se posedon 3,200 euro para të gatshme të cilat Çitaku i ka deklaruar se i ka në institucionet financiare.
Ndërsa ai ka deklaruar se ka gjithsej 58,500 euro borxhe. Tek të hyrat vjetore, nga buxheti i Kosovës, Çitaku ka deklaruar se mori 13,353 euro. Nga buxheti i shtetit të hyra prej 4,800 euro mori edhe bashkëshortja e tij.

Sipas regjistrit të deklarimit të pasurisë, të hyra prej 3,800 euro nga sektori privat Çitaku deklaroi se realizoi prindi i tij.
Arben Çitaku ishte emëruar në pozitën e sekretarit të Ministrisë së Mjedisit me 6 korrik të vitit 2011, në kohën sa Hashim Thaçi kishte qenë kryeministër i vendit, teksa ishte larguar nga puna me vendim të kryeministrit aktual Albin Kurti në shkurt të vitit 2020, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Gjatë periudhës kur ai kishte qenë sekretar në ministri, Çitaku ishte përmendur edhe në një nga bisedat telefonike të zbuluara në vitin 2016 të Adem Grabovcit, në aferën e njohur “Pronto” dhe për disa “skandale” të tjera.
Ndryshe, në aksionin e sotëm edhe në disa lokacione të tjera të vendit, ku janë arrestuar 7 persona, ndër ta edhe Çitaku, është arrestuar edhe një zyrtar aktual në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Ai është kryeinspektori i MI-së, Bedri Halimi.

Baby Boo