Kissinger paralajmëron pasoja ekonomike që zgjasin me breza

Ish-Sekretari i Shtetit në SHBA, Henry Kissinger, ka paralajmëruar se koronavirusi mund të shkaktojë një shkatërrim ekonomik global, që mund të zgjasë për disa breza nëse nuk merren masat e duhura.

Sigma Doors

Kissinger, i cili shërbeu pas Presidentit Nixon dhe me Presidentin Ford, publikoi një shkrim në “Wall Street Journal” të premten, ku deklaroi se “dështimi mund t’i vërë zjarrin botës”.

“Kur të mbarojë pandemia e Covid-19, institucionet e shumë vendeve do të perceptohen si të dështuara. Nëse ky gjykim është objektivisht i drejtë apo jo, kjo është e parëndësishme. Realiteti është se bota nuk do të jetë kurrë e njëjta pas koronavirusit”, shkruan ai.

Kissinger thotë se SHBA-të duhet të punojnë shpejt për të gjetur një kurë, një hap për të rindërtuar ekonominë globale dhe për të mbrojtur “rendin botëror liberal”, duke shtuar se madje, as SHBA nuk mundet me një përpjekje thjesht kombëtare të kapërcejë virusin.

“Pajisjet mjekësore nuk janë të mjaftueshme për të përballuar valët e zgjeruara të rasteve. Njësitë e kujdesit intensiv janë në prag të mbingarkimit. Testimi është i papërshtatshëm për detyrën e identifikimit të shtrirjes së infeksionit, për të frenuar përhapjen e tij. Një vaksinë e suksesshme mund të jetë 12-18 muaj larg”.

Ai ofron tre hapa që SHBA duhet të ndërmarrë në mënyrë që të punojë drejt mundjes së koronavirusit dhe më pas stabilizimit të ekonomisë, i pari është gjetja e një kure ose trajtimi për virusin.

Kissinger shkruan: “Ne duhet të zhvillojmë teknika dhe teknologji të reja për kontrollin e infeksionit dhe vaksinat në përpjesëtim me popullatën e madhe. Qytetet, shtetet dhe rajonet duhet të përgatiten në mënyrë të vazhdueshme për të mbrojtur njerëzit e tyre nga pandemitë përmes depozitimit, planifikimit bashkëpunues dhe eksplorimit në kufijtë e shkencës”.

Hapi tjetër është “shërimi i plagëve në ekonominë botërore”.

Ai tregon për krizën financiare të vitit 2008, duke thënë se kushtet e tanishme janë edhe më komplekse, për shkak të shkallës globale të virusit, mbylljes së shkollave, mbylljes së restoranteve dhe praktikave të distancës sociale.

Kissinger shkruan se duhet të hartohen programe speciale për të ndihmuar në rregullimin e dëmtimit të atyre që preken më shumë nga mbyllja.

Së fundmi, Kissinger shkruan mbi parimet e rendit liberal botëror që duhen mbrojtur, duke theksuar se një qeveri me mendje të ndriçuar beson se duhet të garantojë “siguri, rregull, mirëqenie ekonomike dhe drejtësi”.

“Pandemia ka shkaktuar një anakronizëm, një ringjallje të qytetit me mure në një epokë kur prosperiteti varet nga tregtia globale dhe lëvizja e njerëzve. Demokracitë e botës kanë nevojë për të mbrojtur dhe mbajtur vlerat e tyre të iluminizmit. Një tërheqje globale nga ekuilibri i pushtetit me legjitimitetin do të bëjë që kontrata sociale të shpërbëhet brenda vendit dhe në botë”.