Kina rrënoi xhamitë dhe lokacionet e shenjta myslimane në Xinjiang


Deri para një dekade, haxhilerët do të udhëtonin me autobusë, vetura, gomarë dhe në këmbë për t’u mbledhur me mijëra në tempullin e imam Asimit në shkretëtirën e kufirit perëndimor të Kinës. Do të ecnin nëpër dunën e rërës për t’u gjunjëzuar para lokacionit të shenjtë dedikuar imamit Asim, një burrë i shenjtë për myslimanët që ndihmoi në mposhtjen e mbretërisë budiste që qeverisi me vendin rreth një mijë vjet më parë. Këta besimtarë të devotshëm ishin ujgurë, një pakicë kjo myslimane. Dhe sfidonin të gjitha vështirësitë vetëm për të recituar vargje për imamin.

“Nuk ishte vetëm një haxhillëk i thjeshtë. Kishte performanca, lojëra, ushqime, lojëra për fëmijët, lexime poezish dhe shpalosje të shumta rrëfimesh”, ka thënë Tamar Mayer, profesor në kolegjin Middlebury, i cili e vizitoi tempullin e imam Asimit për qëllime kërkimore më 2008 dhe 2009. “Ishte ende aq e mbushur menjëherë dhe aq e mbushur me jetë”.

Por edhe gjatë asaj kohe autoritetet po përpiqeshin që t’i kufizojnë turmat, me anë të vendosjes së pikave të kontrollit në tempull. Deri më 2014, haxhilerët pothuajse u ndaluan tërësisht. Dhe vitin e shkuar, pjesa më e madhe e tempullit u shkatërrua, transmeton KOHA shkrimin e NYT.

Mburojat e drunjta dhe shenjat që dikur e lartësonin varrin dhe i tregonin vendet për lutje janë larguar. Pamjet satelitore kanë treguar tani se edhe xhamia përbrenda kësaj zone është rrafshuar përtokë. Krejt çfarë ka mbetur është ndërtesa ku ndodhet varri i imamit, i cili shihet i paprekur midis gërmadhash.

Dëshmimi i shkatërrimeve

Autoritetet kineze së fundi kanë mbyllur dhe shkatërruar shumicën e tempujve të mëdhenj, xhamive dhe vendeve të tjera të shenjta në Xinjiang që prej kohësh kanë shërbyer si kujdestare të kulturës dhe besimit islamik në rajonin me shumicë myslimane.

Përpjekja për mbylljen dhe rrënimin e këtyre lokacioneve është pjesë e fushatës më të gjerë të Kinës për t’i shndërruar ujgurët, kazakët dhe grupet e tjera etnike të Azisë Qendrore në pasues të devotshëm të Partisë Komuniste. E iniciativa e asimilimit ka shpjerë në krijimin e qendrave të indoktrinimit.

Një raport i ri i Institutit austriak për Politika Strategjike, një grup ky kërkimor me seli në Kanberë, ka shpërfaqur shtegun sistematik të shkatërrimit dhe alternimit të lokacioneve fetare në vitet e fundit. Ky institut ka bërë të ditur se rreth 8.500 xhami në Xinjiang janë shkatërruar tërësisht që nga viti 2017 – më shumë se një e treta e të gjitha xhamive sa Qeveria pretendon të ndodhen në rajon.