Këto janë risitë te kampionët

Ishin paralajmëruar disa javë më parë, por tashmë janë bërë zyrtare. UEFA, përmes një komunikate në faqen zyrtare të internetit të këtij institucioni, ka njoftuar modifikimin e rregullores për kompeticionet e organizuara pikërisht prej qeverisë europiane të futbollit. Duke qenë se kemi disa kompeticione të UEFA-s, të cilat nga sezoni i ardhshëm do të hyjnë në një cikël 3-vjeçar, risitë në rregullore nuk janë të pakta e do të zbatohet nga edicioni 2018-2019. Sigurisht, ato do të prekin Champions League, Europa League dhe Superkupën e Europës.

Baby Boo

Nga sezoni 2018-19, ekipet do të mund të bëjnë një zëvendësim të katërt në ndeshjet me eliminim të drejtpërdrejtë, por vetëm në kohët shtesë. Ky modifikim nuk do të ketë aspak ndikim te 3 zëvendësimet klasike, me të cilat jemi mësuar.

Veçanërisht për finalen e Championsit, Europa League apo Superkupës së Europës, ekipet do të mund të grumbullojnë 23 lojtarë, nga 18 që kanë për detyrim në ndeshjet e tjera. Kjo do t’u mundësojë ekipeve pjesëmarrëse të kenë 12 lojtarë në pankinë, nga 7 që jemi mësuar deri më sot, vetëm në finalet e sipërpërmendura. Kjo u jep trajnerëve më shumë mundësi zgjedhjeve, për ndeshjen më të rëndësishme të sezonit.

Më tej, një tjetër ndryshim ka të bëjë me oraret e nisjes së ndeshjeve të Championsit dhe Europa League.

Ndeshjet e “play off”-it të CHL, ato në fazën e grupeve, ato për 1/8-at e finaleve, çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalja do të luhen që të gjitha në orën 21:00. Por, gjatë raundeve të fazës së grupeve, dy ndeshje të së martës dhe dy të së mërkurës do të nisin në orën 18:55, me përjashtim të ndeshjeve të fundit të grupeve, që do të luhen njëkohësisht. Përjashtime në raste specifike do të mund të bëhen vetëm me vendim të administratës së UEFA-s.

Sa i përket Europa League, nga faza e grupeve e deri në 1/8-at e finaleve ndeshjet do të luhen më 18:55 dhe 21:00. Se cilat sfida do të luhen në fashën e parë të orarit dhe në të dytën, do të përcaktohen me short. Ndeshjet e fundit në grupe, edhe këtu do të luhen njëkohësisht. Ndërsa, nga çerekfinalet, gjysmëfinalet e deri në finalen e madhe, të gjitha ndeshjet do të luhen më 21:00, me përjashtim të ndonjë rasti specifik me vendim të administratës së UEFA-s.

Një risi është edhe ajo që ka të bëjë me regjistrimin e listës së lojtarëve, pas fazës së grupeve të Championsit dhe Europa League. Në këtë rast, çdo klub do të mund të përfshijë në ekip 3 emra të rinj të përshtatshëm për t’u aktivizuar, pa kufizime. Ky ndryshim bëhet për të qenë në të njëjtën linjë me normat e kampionateve kombëtare, që nuk vendosin kufizime për lojtarët e regjistruar pas transferimit gjatë merkatos dimërore.

Skuadrat që do të mund të futen drejtpërdrejt në fazën e grupeve të Championsit do të jenë 26, mes të cilave fituesja e Championsit dhe Europa League të edicionit paraardhës. Ndërkohë 6 vende do të zihen nga skuadrat që do të kualifikohen nga turet parakualifikuese dhe “play off”-i. Çdo skuadër e eliminuar nga kualifikueset e Championsit do të ketë një mundësi të dytë në kompeticionin e dytë për nga rëndësia, Europa League.

E në fund, ashtu siç ndodhi në Champions League këtë sezon, duke nisur nga 2018-19 skuadrat që e kanë fituar Europa Leaguen (ose ish-Kupën UEFA) plot 3 herë me radhë, ose minimumi 5 herë, do të mund të mbajnë në fanellë stemën përkatëse. E vetmja skuadër që preket nga ky ndryshim për sezonin e ri do të jetë Sevilla, që e ka fituar Europa Leaguen 5 herë (2006, 2007, 2014, 2015 dhe 2016)