Këshilli i Evropës ndërprenë marrëdhëniet me Bjellorusinë – shkaku i agresionit rus në Ukrainë


Këshilli i Evropës njoftoi se po ndërpret marrëdhëniet me Bjellorusinë për shkak të “pjesëmarrjes aktive të atij vendi” në agresionin rus në Ukrainë. Organi ekzekutiv i Këshillit të Evropës, Komiteti i Ministrave, “vendosi sot të pezullojë të gjitha marrëdhëniet me Bjellorusinë. Komiteti i Ministrave pezullon të drejtën e Bjellorusisë për të marrë pjesë në të gjitha takimet dhe aktivitetet e organizatës”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Evropës.

Komiteti i Ministrave po pezullon të gjithë bashkëpunimin teknik me Bjellorusinë, por ka vendosur të ruajë dhe forcojë lidhjet me shoqërinë civile bjelloruse dhe opozitën në ekzil, tha Këshilli i Evropës, duke shtuar se nisma të tjera në këtë drejtim do të ndërmerren së shpejti.

Bjellorusia nuk është anëtare e plotë e Këshillit të Evropës, sepse nuk ka nënshkruar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Vendi bashkëpunoi me organizatën, si nënshkrues i 12 konventave të iniciuara nga Këshilli i Evropës, veçanërisht Konventa për Veprimin kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, Konventa Kulturore Evropiane dhe Konventa për Ruajtjen e Kafshëve të Egra në Evropë.

Bjellorusia është gjithashtu anëtare e katër marrëveshjeve të pjesshme që nuk kanë statusin e marrëveshjeve ndërkombëtare, por ofrojnë një formë bashkëpunimi në tema të caktuara.
Minsku ka marrë pjesë gjithashtu në punën e Grupit të Shteteve kundër Korrupsionit dhe Komisionit të Venecias, një grup këshillues që jep opinione juridike të shteteve për projektligjet ose ligjet tashmë në fuqi.

Vendimi i Këshillit të Evropës për Bjellorusinë vjen një ditë pas përjashtimit të Rusisë nga anëtarësimi në atë organizatë. Pjesëmarrja e Rusisë në organet kryesore të Këshillit të Evropës u pezullua për herë të parë më 25 shkurt, një ditë pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.

Baby Boo