Kërçovë, shkatërrohet këndi i lojërave pa e mbushur javën! Kryetari kërkon që autorët të përgjigjen para ligjit (VIDEO)


Të thyera dhe shkatërruara të gjitha objektet tek këndi për fëmijët. Dyer të prishura dhe gjithçka tjetër që përmbante ky kënd në lagjen “22 dhjetori” në Kërçovë. U demolua ende pa e mbushur javën që kur u lëshua në përdorim, ndërsa kryerësit e aktit vandal ende nuk janë identifikuar nga policia.

“Këtu ndodhemi në lagjen “22 dhjetori” ky është një park fëmijësh, një javë pasi u ndërtua ai u demolua. Rasti është i paraqitur në polici por ende nuk dihen autorët e këtij vandalizmi, pritet që të zbardhet rasti, ndërsa janë shkaktuar dëme të shumta materiale”.

Të dëshpëruar nga kjo gjendje janë fëmijët e lagjes të cilët mezi e kishin pritur këtë kënd.
“Po jam shumë i zemëruar, sepse këtë e kanë shkatërruar të gjithën, këtu ishte shumë bukur por na e shkatërruan”.
“Po jemi të zemëruar, nuk mendoj se do ta ndërtojnë sërish”.
“Nuk është mirë, të vegjlit po luajnë ndërsa ata po i prishin, ne kemi luajtur çdo ditë këtu futboll”.
Për aktin e shëmtuar ka reaguar edhe kryetari I komunës së Kërçovës, duke e quajtur vandalizëm të pronës publike.

“Rrëzohen, demolohen, copëtohen pajisjet urbane dhe lojërat për fëmijë, duke dhënë pamje të trishtë kur i shikon në këto foto, e jo më në realitet. E PAKUPTUESHME kjo ndjenjë sulmi ndaj të bukurës dhe funksionales për një qytet me mjedis të pastër. Ngjarja është paraqitur në organet e rendit dhe reagimi i policisë ka qenë i menjëhershëm për të identifikuar, e vënë para përgjegjësisë ligjore autorët e kësaj çmendurie”, tha Fatmir Dehari, kryetar i Komunës së Kërçovës

Akte të këtilla të dëmtimit të pronës publike la pasur edhe më parë në Kërçovë. Muaj më shkatërrim të njëpasnjëshëm pësoi edhe kalaja e Kërçovës pasi u rinovua, ku prisheshin, shkatërroheshin dhe vidheshin, ulëse, kabllot elektrike dhe drita të vendosura në kala.

Baby Boo