Kërçovë, ndizet ‘Flakadani i janarit”’


Në shenjë nderimi për të rënët e lirisë në Kërçovë ndizet “Flakadani i janarit”.

Në organizim të SHVL-UÇK-së, shoqërisë “Lulet e malësisë” dhe Lëvizjes “Shoqëria” në Qendrën Kulturore të Kërçovës, u ndez “Flakadani i janarit”, që përkujton rënien e Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës dhe të gjithë atyre që u flijuan për idealet kombëtare në janarët e përgjakshëm.

Manifestimin përkujtimor “Flaka e janarit”, që u mbajt nën patronatin e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmetit, e shpalli të hapur kreu i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, i cili i ftoi të pranishmit për një minutë heshtje në shenjë nderimi për të rënët e lirisë në të gjitha periudhat e historisë tonë kombëtare.

“Flaka e Janarit përkujton gjakun e derdhur dhe sakrificat e mëdha të popullit shqiptar që nga koha e Skënderbeut e deri në ditët e sotme, lajmëtarët e lirisë, Jusufin, Bardhoshin dhe Kadriun, Rexhep Malën, Nuhi Berishën, Zahirin, Edmondin, Akifin dhe të gjithë ata që me rënien e tyre, dhanë mesazhin e sakrificës për idealet kombëtare”,- tha kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari.

Tre figurat emblematike të lëvizjes kombëtare, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, si dhe të gjithë të rënët e lirisë në janarët e përgjakshëm, dhanë mesazhin e sakrificës për idealet kombëtare.

Amaneti i tyre për bashkim ka filluar me pavarësinë e Kosovës dhe ai vazhdon me frymëzimin e gjeneratave të reja për bashkimin e trojeve shqiptare, potencoi kryetari i SHVL-UÇK-së, Fazli Veliu.

Manifestimi “Flaka e janarit” vazhdoi me një program kulturo-artistik ku u prezantua edhe reportazhi “Zjarri që nuk shuhet kurrë”, kushtuar rrugëtimit 20 vjeçar të Flakës së Janarit në Kërçovë.

Me pjesëmarrjen e tyre, manifestimin “Flaka e janarit” të organizuar rrëzë kalasë së Uskanës së lashtë, e nderuan familje të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, veprimtarë dhe përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore dhe mysafirë nga të gjitha hapësirat shqiptare.

Baby Boo