Kërcënon Lista Serbe: Veseli mund të ndërtojë në veri vetëm përmes nesh të vdekkur


Në kompetencat e komunave serbe askush nuk guxon të prekë, përndryshe përgjigja jonë do të jetë e ashpër dhe e vendosur, deklaroi sot kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Duke komentuar paralajmërimin e kreut të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për investimet e Kosovës në Mitrovicë dhe se plani i tij shtrihet në të dy anët e lumit Ibër, duke ndarë veriun nga Mitrovica jugore, Rakiqi tha se Veseli mund të ndërtojë kulla dhe qytete në ‘tokën serbe vetëm përmes nesh të vdekkur’, dhe paralajmëroi që ‘të mos provojë diçka të tillë’, raporton KsP.

Lideri i PDK-së ka ideuar një plan për investime në Mitrovicë – të cilat do të shtrihen në të dyja anët e Lumit Ibër.

Projekti “Mitrovica e Re” parasheh renovimin e tërësishëm të stadiumit “Adem Jashari”, zgjerimin e parkingut të tij, ndërtimin e një Aqua-Parku përreth kësaj hapësire, si dhe ndërtimin e objekteve kolektive të banimit përreth liqenit artificial.

Por, pjesa më ambicioze e këtij plani të ideuar nga Veseli – kalon përtej Lumit Ibër. Në fshatrat Suhodoll, Gushavc dhe Vinarc, përskaj Lumit Ibër, por edhe në thellësi të tyre, parashihet të ndërtohen objekte të larta banimi, nga 3 – 7 kate. Gjithashtu, në këtë hapësirë, pritet të ndërtohen edhe shkolla, terren sportive dhe qendra mjekësore.

Projekti parasheh edhe rregullimin e shtratit të lumit Ibër dhe hapësirës për këmbësorë dhe biçikleta. Në njërën anë, ky projekt shtrihet nga Mitrovica – te Mëhalla e Boshnjakëve e Zveçan, dhe në anën tjetër vazhdon deri në Zupç e Koshtovë.

Në mënyrë që ky plan të realizohet, e gjithë zona duhet të shpallet Zonë për Ndërtim të Lartë.

Të enjten e kaluar, Veseli ka vizituar stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, ku edhe ka prezantuar projektin për renovimin e tërësishëm të tij.

Baby Boo