Kërcënim i organizatës “MKomiteti” për Agjencinë e zbatimit të gjuhës shqipe


Tek Agjencia për zbatimin e gjuhës shqipe ka arritur një letër kërcënuese nga organizata e quajtur ‘MKomitet”, e cila kërkon dorëheqjen e drejtorit Ylber Sela, dhe mbylljen e kësaj Agjencie shkaku i gjuhës shqipe.

Grupacione të tilla gjithmonë kanë qenë kundër dygjuhësisë, madje kanë organizuar protesta, kërcënime dhe shumë tentime për ta penguar këtë realitet.

Kjo organizatë kërkon edhe referendum për largimin e ligjit të zbatimit të gjuhëve, në të kundërtën paralajmërojnë revoltë popullore deri në kthimin e situatës së mëparshme, duke mohuar gjuhën shqipe në shtet.

Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela në një prononcim për Zhurnal.mk ka thënë se institucioni që drejton ai nuk rrezikon asnjë gjuhë, dhe asnjë etni.

“Mendoj se kërcënimet e tilla janë déjà vu. Sa herë që fillon fushata parazgjedhore, ringjallen edhe veprimet e tilla destruktive. Askush nuk mund ta ndalë punën e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, e as punën time si drejtor. Kemi të bëjmë me një institucion shtetëror, të themeluar nga Kuvendi i RMV-së. Pra çdo gjë është ligjore. AZGJ-ja nuk rrezikon asnjë gjuhë, asnjë etni. Prandaj format kërcënuese ndaj saj janë të paarsyeshme dhe joqytetëruese”, ka deklaruar për Zhurnal, drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Ylber Sela.

Baby Boo