Këngëtares Selma Bajrami s’i lejohet hyrja në Beograd, shkak shqiponja dykrerëshe


Këngëtarja boshnjake me origjinë nga Kosova, Selma Bajrami, është ndaluar në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd në tentim për të hyrë në Serbi, raporton “Tanjug”.

Raportohet se ajo menjëherë është rikthyer me një aeroplan tjetër në Sarajevë, pasi s’iu lejua hyrja në Serbi.

Arsyeja për ndalesë thuhet se është një performancë e saj e fundit ku Bajrami bëri me duar shqiponjën dykrerëshe.

Këngëtarja kishte treguar në nëntor se ishte kërcënuar pas performancës së saj në Sarajevë ku edhe interpretoi këngë shqipe.

“Pasi që pash se disa mendje të ndritura kanë publikuar videon nga performanca ime në Sarajevë, ku këndova një këngë shqip, duke u përpjekur të më kërcënojnë mua dhe lidhjen me audiencën në Serbi, ndjej se më duhet të reagoj. Siç e dinë shumica e fansave, rrënjët e mia janë nga Kosova, gjyshi im ishte shqiptar nga Kosova”, ka shkruar ajo në rrjete sociale.

Bajrami po ashtu ka shpjeguar se këngën “Valle kosovare” e ka interpretuar sepse i ishte kërkuar nga audienca. Këngëtarja ka thënë se është në gjendje të këndojë çfarëdo që i kërkohet edhe kur të interpretojë në Beograd.

“Kam qenë këngëtare për të gjithë njerëzit. Për boshnjakët, për serbët, për shqiptarët. Për të gjithë. Kushdo mund ta interpretojë si të dojë, unë ju përcjelli vetëm dashuri”, ka shkruar ajo.

E ish-drejtori i BIA-s së Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se këngëtares i është ndaluar hyrja në Serbi me urdhër të tij.

“Me krenari ka treguar para kamerave simbolet e ‘Shqipërisë së Madhe’”, tha Vulin.

Ai ka thënë se “çdo këngëtar që bën foto me urimin ‘Sieg Heil’ vështirë se do të mbante koncert në Izrael”.“S’mund të tregosh simbolet e ‘Shqipërisë së Madhe’ dhe të marrësh para në Serbi. Për atë që është krenari ‘Shqipëria e Madhe’, Serbia nuk duhet të jetë sportel. Siç e thashë, derisa isha në Serbi si drejtor i BIA-s, kam nxjerrë një sërë urdhrash që kanë të bëjnë me të gjithë ata që duan të shkelin dinjitetin e Serbisë dhe popullit tonë, nuk e di se cilat urdhra mbeten në fuqi. Por, më së miri është të kontrollojnë vetë tradhtarët dhe ata që mendojnë se mund ta pështyjnë Serbinë dhe të mos ndëshkohen”, tha Vulin për “Tanjug”.

Baby Boo