“Kemi më shumë mërgimtarë, por nuk janë regjistruar”, procedurë për ata që refuzuan të regjistrohen


Do të ngritet procedurë për ata që nuk pranuan të regjistrohen. Regjistruesit kanë deklarata nga personat që nuk janë regjistruar, thonë nga Enti për Statistika, por sigurojnë se numri i atyre që refuzuan është shumë i vogël e që mund të shprehet në promil, jo në përqindje.

“Qëllimi ynë që nga fillimi ishte që të mos dënojmë, por ata që qartë refuzuan të regjistrohen, për ata regjistruesit kanë deklarata dhe do të ngritet procedura. Se si do të përfundojnë ato nuk varet prej nesh”, tha Simovski.
E ata që mbetën pa regjistruar, të njëjtit do të përfshihen në përqindje, tha drejtori i Statistikave, Apostoll Simovski.

“Të gjitha amvisëritë janë vizituar, të gjithë qytetarët kishin mundësi të jenë pjesë e regjistrimit dhe e përsërisë ata qytetarë të cilët për çfarëdo lloj arsye nuk janë përfshirë në regjistrim ndërsa janë pjesë e bazave dhe të dhënave që posedojmë, do të jenë pjesë e regjistrimit”, shtoi Simovski.
Por cilat vendbanime janë zbrazur nga migrimet dhe ku kemi më shumë shpërngulje të qytetarëve? Nga Enti për Statistika thonë se kjo e dhënë do të dihet kur të përfundojë përpunimi i rezultateve.

“Tani është shumë herët për të folur nga ku dhe si kanë ndodhur migrimet brenda shtetit dhe jashtë vendit. Mirëpo vetë numri i 1.832 mijë nëse krahasohet me numrin e fundit të regjistrimit në vitin 2002, kur ishte diçka më shumë se 2 milionë, flet se këta 170 mijë banorë, supozojmë, pa e marrë parasysh rritjen e natyrale të natalitetit, d.m.th. që ata janë diku, nëse jo këtu, janë jashtë vendit. Pra kjo lëvizje ka ndikuar që në disa vendbanime të kenë më pak banorë, por cilët janë ato dhe përse kanë ndodhur këto lëvizje tash nuk mund të japim informacione sepse nuk i kemi të gjitha të dhënat”, tha Selami.

Sipas të dhënave të mbrëmshme të ESHS-së, gjithsej janë regjistruar 1 milion e 832 mijë e 696 qytetarë. 837 mijë e 255 banesa, 568.175 amvisëri dhe 534.503 ndërtesa. Janë regjistruar 204.850 mërgimtarë, edhe pse procesi i regjistrimi në diasporë ka zgjatur plotë 7 muaj. Nga Enti thonë se ka edhe shumë mërgimtarë të tjerë në diasporë të cilët nuk janë regjistruar. Shpallja e rezultateve të regjistrimit do të bëhet pas 6 muajsh, por nga Enti thonë se ka gjasa që kjo të bëhet edhe më herët 15 ditë para ose pas vitit të ri.

Baby Boo